Kryeministri i vendit ka kërkuar ndjesë për dekorimin e Shyqyri Çokut, ish-agjentit të Sigurimit të Shtetit, por ka shtuar se qeveria e ka dekoruar pasi ai gëzonte statusin e veteranit, të cilin e ka marrë kur Sali Berisha ishte president i vendit.

“Kërkoj ndjesë të detyrueshme. Dekorimi i torturuesve nuk nisi vjet, por shumë vite më parë. Ministria e Mbrojtjes bëri një veprim mekanik. E nxori vendimin për dhënien e këtyre medaljeve duke iu referuar kategorisë së parë, që është përcaktuar me ligj shumë kohë më parë. Berisha është kapur pas medaljes, por e ka paguar torturuesin për 25 vjet me pension. Këto janë akuza monstruoze për të trazuar gjakun e atyre që kanë vuajtur persekutimet”, tha Rama në Shkodër, gjatë turit të PS-së “Të pastrojmë më tej Shqipërinë”.

Rama shtoi se “Berisha ka filozofinë dhe metodën e Partisë së Punës. Di vetëm të akuzojë dhe nuk ka ide të reja”.

Kreu i qeverisë foli edhe për bunketët e djegur nga opozita gjatë protestës së 8 dhjetorit: “Ai nuk është bunker, por hyrja simbolike e një muzeu. Është çmenduri të thuash ishte i shëmtuar dhe bënë mirë që e prishën. Është i bukur apo jo nuk e përcakton as partia dhe as logjika e forcës”.