5nëntor 2015 – A e ka dhënë lejen kryeministri Rama për ndërtimin në Lagunën Blu? Pas protestave të banorëve që kanë shtëpi në këtë fshat turistik, Rama foli për herë të parë. Në emisionin “Top Story”, kreu i qeverisë tha se, nuk është ai personi që dha lejen për ndërtimin nga Aleksandër Frangaj.
“Nga pikëpamja e ligjshmërisë, aty nuk ka asnjë centim të shkeljes së ligji. Pastaj në një ndërtim me plan të miratuar, me tokë private dhe me të gjitha dokumentet në rregull, pavarësisht se mund të themi çfarë të duam sesi është privatizuar dhe si është bërë plani, të gjitha këto janë bërë nga institucionet e shtetit dhe sot ne jemi shteti. Nuk kam dhënë leje, kjo është e vërteta. A e kam telefonuar kreun e komunës? Këto janë fabula, thashetheme që nuk kanë asnjë të vërtetë”, sqaroi Rama.
Prej gati 2 javësh në fshatin bregdetar u prish kompleksi sportiv dhe ka nisur ndërtimi i një vile nga Aleksandër Frangaj, pronar i TvKlan. Pronarët e shtëpive në këtë kompleks kanë protestuar, duke shembur rrethimin dhe kanë qëlluar me vezë mbi vilën e Frangajt, ndërsa e quajtën ndërtim të paligjshëm.
/portali DurrësLajm/





