13shtator 2015 – Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama prej disa ditësh ndodhet në Mynih të Gjermanisë, siç thotë ai për një vizitë zyrtare. Qëllimi ishte për të diskutuar dhe konkretizuar projektet e përbashkëta për arsimin profesional, si edhe për perspektivën Europiane të Shqipërisë e cila sot gjen mbështetjen e plotë të partnerit tonë strategjik, Gjermanisë. Por, gjatë kësaj vizite zyrtare, ashtu siç ndodhi në Berlin 6 muaj më parë, Rama u prezantua dhe si artist.
Galeria “Kampl Gallery” ka ekspozuar 100 piktura të Ramës, para një publiku, ku i ftuar ishte edhe vetë Rama. Siç raporton ATSH, në ceremoninë e çeljes është prezantuar rrugëtimi paralel i një politikani dhe një artisti.
Një nga kuratorët e ekspozitës në përfundim të kësaj bisede e mbylli me urimin: “Vazhdoni të punoni si Kryeministër, po asht u siç keni punuar si kryetar bashkie, në mënyrë që njerëzit të mund ta ndërtojnë jetën e tyre private me momente lumturie”.
Që nga dita e nisjes së vizitës, nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga kabineti qeveritar që Rama të ketë folur për çështjen e refugjatëve. Shqiptarët, që nga fillimi i vitit, renditen të dytët për nga numri i azilkërkuesve në qytetet gjermane, ku Mynihu është një prej destinacioneve kryesore të tyre.
/portali DurresLajm/