Nga Artur Zheji

Mbas sulmeve të njëpasnjëshme kundër gjykatësit Arjan Aliaj, fotove tendencioze dhe përbaltëse, për vilën e tij dhe hulumtimin në jetën private, duket se efektet e presioneve të gjithanshme,politike, mediatike dhe jo vetëm, nuk kanë vonuar.

Shkalla e Dytë e së njëjtës Gjykatë, ktheu në detyrë kryepolicin Çako, duke vlerësuar si të pamjaftueshme provat kundër tij, të vëna në dispozicion nga Prokuroria e Përgjithshme.

Padyshim askush nuk dëshiron që kryepolici Haki Çako, të dënohet padrejtësisht dhe as të persekutohet me pa të drejtë.

Kryeministri dhe ministri i Brendshëm, zhvilluan një sulm 360 gradë, kundër “Këshillit të Lartë të Kënetës” dhe kundër gjykatësit “vrasës me pagesë” si edhe u cilësua Arjan Aliaj dhe krejt trupa gjykuese e Gjykatës së Tiranës, Prokuroria, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe çdo qelizë e këtij sistemi.

Sigurisht sistemi i Drejtësisë shqiptare, ka 1001 defekte dhe pisllëqe, në gjirin e vet. Janë bërë mijëra falsifikime pronash, me vendime të rreme gjykate dhe janë dhënë pafajësira të bujshme dhe skandaloze. Dhe gjithçka është bërë nga ky sistem, nën efektin e presionit apo ryshfetit të majmë. Këtë e dinë dhe e kanë vuajtur të gjithë shqiptarët.

Mirëpo në rastin e Krimit Shtetëror të Përgjimeve, që shkatërron çdo grimcë demokracie në Shqipëri, çdo shpresë për të rifilluar një Kohë të Re, në jetën tonë të përditshme, çdo pandehmë pozitive se një Drejtësi më e mirë do zërë një ditë fill, zvenitet nga kjo që po shohim këto ditë dhe këto orë.

Ku humbi deponimi që Haki Çako bëri se aparati i përgjimit, ishte përdorur përveçse për “trajnime” edhe për përgjimin e çështjes “Gjutaj”?

Apo mos vallë Shkalla e Dytë e Apelit, e ka humbur këtë deklaratë, që rrëzon në themel, çdo dyshim se Prokuroria e ka gabim?

Avokati mbrojtës i famshëm, Maks Haxhia, që mbron kryepolicin dhe pjesën më gri të shoqërisë njëkohësisht, që kryepolici dhe Policia duhet të zbulojë dhe të hedhë në pranga, tha për publikun se: “u vërtetua që pajisja e përgjimit, ishte përdorur vetëm për trajnime”, duke përgënjeshtruar klientin e tij të sinqertë, Haki Çako, në deponimin që kish bërë disa ditë më parë.

Tani sigurisht do të thuhet nga kryeministri apo shpura e tij, se “Drejtësia u vu në vend!”, se ja u vërtetua që gjykatësi Aliaj ishte një “vrasës me pagesë”, urdhëruar nga Sali Berisha dhe të tjera si këto.

Por cila Drejtësi?

Ajo e Kënetës apo ajo e Rilindjes? Që ha presion dhe ul kurrizin, nga frika e pushtetit dhe nga frika e zbulimit të pisllëqeve të veta?

Pra “Drejtësia” që bindet ndaj pushtetit, është “Drejtësia e Mirë”, ndërsa ajo që guxon, në kushte të një trysnie të përbindshme politike dhe mediatike, të zhvillojë akuza kundrejt të pushtetshmëve, është Drejtësia e Kënetës!

Është e vërteta se Sistemin e Drejtësisë e ka kapur Frika e Vetingut! Që do të thotë filtri apo sita, ku pasuritë dhe biografitë e tyre, do të kalojnë në skaner dhe në “përgjim”.

Skanerin dhe Përgjimin mund ta kenë në dorë, njerëzit e Qeverisë dhe vetë Kryeministri, kështu që karrierat rrezikojnë të fluturojnë në ajër dhe madje edhe më keq, mund të ketë persekutime ligjore, ndaj gjykatësve të pabindur,të panënshtruar dhe sado pak kundërshtarë.

Reforma në Drejtësi, e vizatuar në këtë formë, është Deformimi i Ri i Drejtësisë.

Një Terror dhe Diktaturë Shtetërore, në emër të Shtetit të së Drejtës, ndaj të cilës, të gjithë ndjehemi të frikësuar.

Dhe Ambasadori Lu dhe simpatikja Vlahutin, rrinë e vështrojnë dhe nuk thonë asnjë fjalë për këtë Mega Skandal të Përgjimeve, që do të varroset shpejt e shpejt në Kënetën e Frikës dhe të dhunës së paparë ndaj vetë gjyqësorit, nga ana Pushtetit?

Nëse ndodh kështu, Reforma në Drejtësi, është një foshnje që po lind e vdekur.

/360 gradë.al