Në episodin e 14 të sezonit të 4 të podkastit “Flasim”, Kryeministri Edi Rama pati të ftuar tre emigrantë të kthyer në Shqipëri, të cilët pas disa vitesh emigrimi kanë investuar në vendin e tyre të lindjes. Ata ndanë eksperiencat e tyre dhe theksuan rëndësinë e rikthimit dhe mundësitë për zhvillim në Shqipëri.
Lolita Lumi, e cila ka kaluar një pjesë të jetës në emigrim dhe ka hapur një dyqan artizanati në Shkodër, vendosi të kthehej përfundimisht në Shqipëri. Ajo tani jeton në Theth dhe po punon për zhvillimin e turizmit në këtë zonë. Lumi i bëri thirrje emigrantëve të tjerë që të kthehen dhe të investojnë në Shqipëri, ndërsa Kryeministri Rama e ftoi atë të aplikonte për “Paketën e Maleve”, që ofron ulje taksash për investitorët në zonat malore.
Aleksandër Çifligu, emigrant i kthyer nga Greqia, theksoi se Shqipëria ka ecur shumë përpara dhe është një mundësi për ata që merren me kreativitet dhe art. Çifligu, i cili ka punuar në fushën e skenografisë dhe ka organizuar evente të mëdha për artistë të njohur, shprehu entuziazmin për zhvillimet në Shqipëri dhe i bëri thirrje emigrantëve të kthehen për të kontribuar.
Besniku nga Këmishtaj i Divjakës, i cili u kthye nga Greqia, ka krijuar një kooperativë bujqësore model, duke punuar me 450 fermerë të cilët eksportojnë prodhime shqiptare. Ai shprehu kënaqësinë për mundësitë që ofron Shqipëria dhe theksoi se vendimi për t’u kthyer kishte të bënte me dëshirën që fëmijët e tij të lindin dhe rriten në atdhe.
Në fund të episodit, Rama u shpreh se është koha që të gjithë shqiptarët të mendojnë për kthimin në atdhe dhe të bashkohen për të ndihmuar zhvillimin e vendit. Ai nënvizoi se Shqipëria ka mundësi të mëdha për ata që duan të investojnë dhe të kontribuojnë për një të ardhme më të mirë.