Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Paris në samitin mbi sportin dhe zhvillimin e qëndrueshëm krah rreth pesëdhjetë krerë shtetesh. Presidenti Macron ishte mikpritësi i këtij samiti që u organizua në kuadër të Lojërave Olimpike. 

Liderët pjesëmarrës në këtë samit shpalosën planet që të investojnë miliarda euro për të financuar iniciativat sportive që të përshpejtojnë zhvillimin e qëndrueshëm.  

Emanuel Macron, president i Francës tha: Është absolutisht thelbësore sinergjia e veprimeve tona dhe gjithçka që mund të bëjmë së bashku me lëvizjen sportive. Ju falënderoj për mobilizimin tuaj, Lojërat olimpike janë një mënyrë për të nxjerrë në pah atë që duhet që të bëjmë dhe për të nisur iniciativa të reja falë të gjitha donacioneve që janë mobilizuar për zhvillimin e Afrikës, Amerikës Latine dhe Paqësorit. Ju falënderoj për angazhimin tuaj të përditshëm në këtë drejtim. 

Samiti ishte një mundësi për të tërhequr vëmendjen e liderëve botërore në përpjekjet ndaj racizmit, diskriminimit racor në sporte si dhe ndaj gjuhës së urrejtjes dhe ksenofobisë. Lojërat Olimpike në Paris do të vijojnë deri më 11 Gusht.