Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot nismën më të re ligjore të qeverisë kundër dëmtimit të pyjeve, duke bërë të ditur vullnetin për miratimin e një moratorium 10-vjeçar.
"Shkatërrimi i pyjeve, shkatërrimi i lumenjve, i shtretërve të lumenjve, shfrytëzimi barbar për lëndë drusore, për lëndë ndërtimi, si dhe shkatërrimi i të gjithë infrastrukturës mbrojtëse, pritave, argjinaturave, kanaleve kullues, na ka sjellë vit pas viti në buzë të një humnere, që ne prej dy vitesh kemi marrë masa për ta shmangur, – tha kryeministri Rama. – Por sot, pas dy vitesh jemi në kushtet kur duhet të shkojmë një hap më tutje dhe duhet të hedhim me kurajë dhe vendosmëri hapin e moratoriumit 10-vjeçar, të ndalimit absolut të shfrytëzimit të pyjeve për qëllime fitimi, për qëllime industriale, për qëllime tregtare, për qëllime që shkojnë përtej nevojës jetike dhe imediate të banorëve të zonave të ndryshme për t’u ngrohur gjatë dimrit. Kjo e fundit është e vetmja pjesë e pranueshme në këtë proces ku me çdo kusht ne duhet t’i vëmë fre të gjitha aspekteve të tjera të shfrytëzimit të pyjeve."