Durrës, 6 shtator 2014 – Burime pranë trupit diplomatik në Tiranë konfirmojnë faktin, se Kryeministri Rama, pas pjesëmarrjes në samitin e NATO-s në Uells, do të kryejë një vizitë zyrtare në Pekin. Rama pritet të mbërrijë në Pekin në 11 shtator 2014.
Kjo është një lëvizje diplomatike elegante e Kryeministrit Rama pas presioneve venizelliste në samitin e NATO-s, që shkonin deri në grishje për tradhti të lartë ndaj atdheut (çështja e detit, shitja e çështjes çame dhe autonomi de fakto për Vorio-Epirin, përfshirë shpalljen e Himarës zonë minoritare).
Z. Rama në këtë vizitë të profilit të lartë në Pekin do të shoqërohet edhe nga Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako. Ky është me të vërtetë një veprim i zgjuar i Kryeministrit Rama. Dako tashmë ka krijuar një profil të spikatur personal ndërkombëtar. Kujtojmë këtu, që ambasadori aktual kinez në Tiranë dhe paraardhësi i tij kanë qenë vizitorë të shpeshtë në Bashkinë e Durrësit.
Dako dhe vartësit e tij kanë krijuar lidhje zyrtare deri në nivelin e binjakëzimit me qytete kineze duke shkëmbyer vizita reciproke të pushtetarëve lokalë durrsakë në Kinë dhe atyre kinezë në Durrës.
Nuk është hera e parë, që dyshja Rama – Dako funksionon në harmoni të plotë. Kujtojmë këtu takimet Rama – Erdogan dhe ofertën e parkut industrial, që Dako i bëri ambasadorit turk Bajrakta, në mbështetje të vizionit Rama – Erdogan. Madje edhe për ngërcin “made in” LSI, që i krijohet investitorëve turq në portin e Durrësit, Dako ka çelësin e zgjidhjes nëpërmjet shumicës së Këshillit drejtues të APD-së.
Le të shpresojmë, që Kryeministri Rama do të na sjellë lajme të mira për Shqipërinë nga Pekini (duke pasur parasysh këtu edhe vizitën zyrtare partiake të numrit 2 të PS-së, Gramoz Ruci, në Pekin, pak kohë më parë). Le të shpresojmë, që Kryebashkiaku Dako do të arrijë të tërheqë investime e projekte kineze në dobi të komunitetit durrsak.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





