• Me sapo shihet kohët e fundit Kryeministri Rama po përpiqet ta rifitojë me patjetër Bashkinë e Durrësit, tashmë të shndërruar në superbashki.

 DURRËS, 29 janar 2015 –  Miliarda lekë investime janë zhvendosur nga buxhetii shtetit drejt “buxhetit Dako”, pa llogaritur këtu të tjera miliarda, që Bashkia e Durrësit i siguron nëpërmjet taksave, tarifave e qerave të veta. Pikërisht këto miliarda të hedhura për punë publike në prag të fushatës janë një indikacion për qëllimin e dyshes Rama-Dako për ta rifituar edhe një herë Durrësin.

   Paratë po hidhen lumë për ndërtim rrugësh e lulishtesh, për ndërtim mbikalimi e ndricim pedonal, për suvatim fasadash e rehabilitim shëtitoresh dhe sheshesh. Gjithses,i bërja publike e një kandidature të fortë për Durrësin (z. Duka) nga republikanët aleatë të PD-së siç duket e ka detyruar Kryeministrin Rama që ta godasë kandidaturën e re në pikën e saj më të fortë, gjegjësisht në zonën rurale e gjysëm rurale, ku edhe lidhjet farefisnore ende kanë shumë peshë.

Në VKM-në e datës 28 janar, Spitalla shpallet zonë e lirë ekonomike. Pikërisht Spitalla, një nga zonat, ku z. Duka ndihet i fortë për shkak të shkollimitdhe përvojës së tij jetësore si agronom si edhe lidhjeve arefisnore e të krushqisë , me VKM-në Rama shndërrohet në zonë të lirë ekonomike. Ky akt nënligjor automatikisht do të thotë miliona e miliona euro investime në Spitallë. Do të thotë qindra ndoshta mijëra vende pune, shumica të mirë paguara gjatë fazës së ndërtimit të fabrikave, depove, kapanoneve në zonën e lirë ekonomike. Qindra ndoshta mijëra vende pune të tjera do të krijohen në mënyrë indirekte si gjatë fazës së ndërtimit të godinave në Zonën e Lirë Ekonomike Spitallë, ashtu edhe pas përfundimit të ndërtimit, kur objektet do të fillojnë punë. Të tilla investime, një lumë i tillë parash, që pjesërisht do të shpërbdahet në mënyrë kapilare deri te dyqanxhiu i minimarketit të lagjes, vec mirë do t’i bëjnë fushatës së ardhshme elektorale të Kryebashkiakut Dako. Kuptohet, nëse investimet në Spitallë fillojnë e bëhen realitet. Bizneset pranë z. Dako të lidhura me ndërtimin apo me prodhimin e lëndëve të para të ndërtimit sidomos, betoni, llaci e tullat do të kenë një bum kërkesash dhe fitime të sigurta edhe në ditët e sotme, kur industria e ndërtimit është në amulli e krizë.

Normalisht Spitalla, megjithë lidhjet e forta me Z. Duka, që i përmendëm edhe më sipër, mund të shndërrohet në një rezervuar votash për kandidatin Dako.

Në gjithë këtë tablo rozë mbetet vetëm një pikë e errët, që buron nga mungesa e prakticitetit dhe e njohjes së realitetit nga ana e Kryeministrit Rama. Zona, terreni, që përfshihet në VKM-në e djeshme ka problem jashtëzakonisht të rënda me pronësinë e tokës. Aty ka pak pronarë të para 1945, të cilëve u është kthyer rregullisht toka pas vitit 1992. Aty ka ish specialist të NB Spitallës, që kanë marrë tokë në pronësi sipas ligjeve të privatizimit të viteve 90-të. Aty ka ish punonjës të NB Spitallës, që kanë marrë tokë në përdorim dhe më vonë në pronësi sipas ligjeve në fuqi. Aty ka punonjës dhe jo punonjës, që kan ëmarrë tokë në pronësi me dokumente false apo që i kanë kryer praktikat e marrjes së tokës në pronësi pasi ka kaluar afati ligjor për ta kryer këtë process d.m.th. titujt e tyre të pronësisë (ata që, kanë arritur t’i marrin nga hipoteka) dalin të kundërligjshëm.

Një tablo e tillë e pronësisë mbi tokën do të thotë telashe pa fund. Administrata me kalamaqër e minifunde e ngritur nga z. Rama është e paaftë, që brenda pak javësh ta ndajë shapin nga sheqeri.

Është misioni i pamundur për këtë farë administrate, që  të përcaktojë kush ka marrë tokë me “letra” false, që normalisht shkon për ndjekje penale dhe i merret toka e përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Gjithsesi, edhe sikur të ndahet shapi nga sheqeri, janë qindra mijëra metra katrorë tokë me pronarë të ligjshëm, që duhet shpronësuar për t’i hapur rrugë ngritjes së zonës së lirë ekonomike.

Nëse llogarisim shpronësimin edhe me çmime minimale si toka bujqësore jo produktive, shifra shkon në jo më pak se 35-40 milion euro, të cilat Kryeministri Rama nuk ka si t’i nxjerrë nga buxheti i shtetit.

Prandaj,VKM-ja e Spitallës mund të përdoret si kartë propagandistike në fushatën e ardhshme elektorale, por me karar, sepse nga e shkruara e Ramës në Tiranë në të bërën në Spitallë ka në mes një det të tërë siç thotë proverbi. Një lëvizje e tillë propagandistike në hava mund të prishë më shumë, se të ndreqë punë. Shteti nuk është OJQ, ku mjafton të bësh letrat e projektit e të marrësh paratë nga donatori, se pastaj punët mund t’i mbyllësh fare mirë duke denoncuar në polici, se u vodh kompjuteri i OJQ-së dhe është e pamundur të gjendet se nga “avulluan” lekët. Lëvizje të tilla mdhore si VKM-ja Rama, kur kryhen me mend në kokë të sjellin vota pa hesap, por kur bëhen “letrat” pa njohur problemet në  terren, fushatës elektorale i vihen vetullat e i nxirren sytë.

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/