13 maj 2015 – Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç do të vizitojë Tiranën më 27 maj, pra pas 2 javësh. Lajmin e ka bërë të ditur sot gazeta serbe “Danas”.

Sipas kësaj gazete, lajmi bazohet në burime të sigurta të kabineteve të kryeministrave. Ajo citon edhe këshilltarin e kryeministrit Edi Rama për rajonin, Shkëlzen Maliqin.

“Nëse në 6-7 muaj korrektojmë atë çfarë ndodhi në shekullin e kaluar, do të jetë një shumë mirë për marrëdhëniet Shqipëri – Serbi”, ka thënë Maliqi.

Maliqi ka paralajmëruar se mes dy kryeministrave do të flitet për projekte konkrete për zhvillimin e dy shteteve, një ndër to do të jetë edhe autostrada Durrës-Nish.

Gazeta shkruan se kjo do të jetë vizita e parë e një kryeministri serb në Shqipëri. Me ardhjen në Shqipëri, Vuçiç i përgjigjet ftesës së kryeministrit Rama që i bëri kur shkoi në Beograd. Vizita e Ramës në Serbi ishte e para e një zyrtari të lartë pas 68 vitesh.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/