Në intervistën e dhënë sot në mbrëmje për Zërin e Amerikës, kryeministri Edi Rama deklaroi se, korrupsioni nuk mund të fshihet si me magji.
Ai u pyet në lidhje me raportin e përvitshëm të departamentit të shtetit për të drejtat e njeriut, ku korrupsioni është shqetësim kryesor, sidomos ai në drejtësi e shëndetësi. Nga ana e tij, Rama tha se korrupsioni është një problem me të cilin ne përballemi çdo ditë.
“Nëse do të ishte fshirë nga raporti do të kishim të bënim me një magji që faktikisht nuk i takon jetës konkrete. Ne nuk kemi marrë përsipër të bëjmë ndonjë magji. Ne kemi marrë përsipër të modernizojmë shtetin dhe modernizmi i shtetit, modernizmi i institucioneve, modernizimi i sistemeve të funksionimit të brendshëm të shtetit do të sjellë një ulje të vazhdueshme të korrupsionit”, u shpreh ai.
Përsa i përket pandëshkueshmërisë, kreu i qeverisë e argumentoi si rezultat i mungesës së një sistemi drejtësie të besueshëm.





