Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pas komentit të kryeministrit Rama në lidhje me hetimet e SPAK për koncesionin e sterilizimit.
Hetimet e SPAK dhe GJKKO çuan në arrestimin e ish zëvëndësministrit të shëndetësisë Klodjan Rjepaj, dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Rama lavdëroi punën e SPAK dhe shprehu vullnetin e qeverisë për mosndërhyrje në punët e drejtësisë.
Sipas Ramës kjo është meritë e Partisë Socialiste dhe vullnetit të saj shtetformues. Në lidhje me këtë Gazment Bardhi shprehet në rrjetet sociale se të ishte për Edi Ramën në krye të SPAK do të ndonjë ushtar i tij.
Sipas Bardhit puna e SPAK është meritë e SHBA-ve. Ajo që po bën Rama dhe që ka në dorë është vetëm vjedhja e shqiptarëve.
Reagimi i Gazment Bardhit:
Të ishte për Edi Ramën dhe PS, sot në drejtimin e SPAK do ishte një ushtar i tij, që siç provoi GJKKO kërkoi burg për ish-zëvendësministrin por jo për ish-ministrin hajdut, mik të Edi Ramës. Ishte ndërhyrja e SHBA që mbajti larg duart e qeverisë nga drejtimi i SPAK.
Të ishte për Edi Ramën dhe PS, sot prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm, do të emëroheshin në detyrë pas certifikimit nga DSIK, institucion në varësi të Edi Ramës. Ishte ndërhyrja e SHBA që i dha të drejtë opozitës dhe e konsiderojë të papranueshme një parashikim të tillë.
Të ishte për Edi Ramën dhe PS, sot koncesioni i sterilizimit do të vazhdonte qetësisht të zhvaste paratë e qytetarëve shqipëtarë dhe Edi Rama do shëtiste studio më studio me setin e bisturive në dorë për ti bërë reklamë hajdutërisë. Ishte dhe është investimi i partnerëve ndërkombëtar drejtësia që i jep fund pandëshkueshmërisë.
Për Edi Ramën dhe PS, Ilir Beqaj i certifikuar në hajdutëri është emëruar drejtor i fondeve publike, si manovër për ti dhënë atij mbrojtje politike ndaj hetimeve të drejtësisë. Edhe pse nën hetim për një dëm miliona euro, Edi Rama vazhdon ta mbajë në detyrë, me shpresën se do ta shpëtojë nga drejtësia.
Për Edi Ramën dhe PS, Arben Ahmetaj pasi certifikohet si hajdut i parave publike në pozicionin e ministrit, promovohet duke u bërë Zëvendëskryeministër. Të ishte për Edi Ramën dhe PS, edhe sot do vijohej qetësisht me pagesat për mafiozët e inceneratorëve, për vepra që nuk ekzistojnë.
Edi Rama nuk ka asgjë në dorë për të ndalur drejtësinë! Nëse do të kishte askush prej miqve të tij nuk do ishte në burg. Atë që ka në dorë Edi Rama po e bën çdo ditë: po zhvat qytetarët me afera miliona euro, duke i varfëruar çdo ditë e më shumë dhe duke i dhënë Shqipërisë qeverinë më të korruptuar në 100 vite.