Ditën e hënë, Këshilli i Ministrave i ka akorduar një fond prej 20 milionë lekësh Ministrisë së Bujqësisë për të ndihmuar në sigurimin e bazës ushqimore për blegtorinë në zonat e përmbytura në Shkodër.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të kryeministrisë, thuhet se me propozim të ministrit të Bujqësisë, Niko Peleshi, u vendos që të akordohet fondi prej 20 milionë lekësh “për t’u përdorur për sigurimin e bazës ushqimore për blegtorinë në zonat e përmbytura në Shkodër”.

Fondi prej 20 milionësh i është pakësuar ”Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në programin buxhetor 04250 “Zhvillimi rural duke mbështetur prodhimin bujqësor e blegtoral, agroindustrinë dhe marketingun”, artikulli 606, “Transfertë në buxhetet familjare”), zëri “Shpenzime korente”.