Zyra e Kryeministrit informoi sot se ka ndërmarrë hartimin e kallëzimit të deputetes demokrate Albana Vokshi, për shpifje.

Sipas zyrës së kryeministrit, Vokshi ka marrë përsipër sektorin e prodhimit të baltës së shpifjeve për çdo nismë të qeverisë në fushën e shëndetësisë dhe në mënyrë të përsëritur, ajo përshin emrin e kryeministrit.

“Zyra e kryeministrit ka të gjitha arsyet e bazuara në prova e fakte, për të besuar se fatkeqësisht, deputetja Albana Vokshi i përket kategorisë së shpifësve profesionistë të nivelit të lartë politik në PD, si famëkëqijtë Paloka dhe Ristani. Këta të fundit u provuan si shpifës për përdorim partiak nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë, pasi nuk arritën të provojnë përpara trupit gjykues asgjë tjetër, përveç faktit se shpifin për llogari të partisë së tyre.

Ka ardhur koha që Gjykata e Lartë të kalojë në sitën e gjykimit të saj të pavarur e të paanshëm edhe akuzat e deputetes në fjalë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë.

“Njësoj si në rastet e shpifësve Paloka dhe Ristani, kryeministri Rama shpreh publikisht gatishmërinë e tij për të dhënë dorëheqjen, jo vetëm nga detyra, por edhe nga aktiviteti i tij politik, nëse deputetja Vokshi do të provojë në gjykate se shpifjet e saj ndaj Kryeministrit nuk janë të tilla”.