TIRANE, 6 korrik 2013 – Kryeministria reagoi sot në lidhje me deklaratat e kryeministrit të ardhshëm Edi Rama gjatë Asamblesë së PS-së, i cili i tërhoqi vëmendjen kryeministrit Berisha të kalojë në fazë kujdestarie dhe u bëri thirrje subjekteve që përfshihen në bashkëpunim me këtë qeveri të mos e vazhdojnë bashkëpunimin. 

Zëdhënësja e kryeministrit Berisha, Erla Mëhilli theksoi se qeveria ka legjitimitet të plotë deri shtator dhe të gjitha vendimet e marra prej saj janë në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit. Sipas Mëhillit, kërkesa e Ramës për qeveri kujdestare është antikushtetuese. 

“Kjo qeveri ka mandat të plotë Kushtetues për të ushtruar pushtetin e saj ekzekutiv në zbatim të programit për të cilin është votuar deri ditën e fillimit të mandatit të maxhorancës së re. Këto ditë, zoti Edi Rama, kryetar i maxhorancës së re, ka ndërmarrë sulme dhe kërcënime ndaj institucioneve kushtetuese të vendit, veprimtarisë normale të qeverisë, vendimeve të saj. Antikushtetues është pretendimi i Ramës për qeveri kujdestare. Kushtetuta e Shqipërisë dhe e asnjë vendi në Europë, por dhe thuajse në tërësi, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, nuk njohin e nuk parashikojnë qeveri kujdestare, të lidhura me zhvillimin e zgjedhjeve. Ky kuadër ligjor ekziston i sanksionuar në Kushtetutën e Bangladeshit, e cila 3 muaj para zgjedhjeve i jep kryesimin e qeverisë kujdestare kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe tepër rrallë në ndonjë vend tjetër, mbi bazë ligjore të përcaktuar mirë",- tha Mëhilli.

Në përfundim të deklaratës, Erla Mëhilli tha se:

"Kryeministri i kërkon zotit Rama të heqë dorë nga kërcënimet dhe sulmet ndaj institucioneve kushtetuese dhe siguron qytetarët se qeveria në detyrë do vazhdojë normalisht përmbushjen e detyrimeve të saj dhe se Kushtetuta dhe institucionet e vendit nuk do mund të pengohen, as edhe të ndikohen nga revanshi i papërmbajtur i tij ndaj tyre.” 

Një ditë më parë, kryeministri i ardhshëm i vendit tha: 

"Të kalojmë në një fazë kujdestarie pa marrë më tutje vendime, në funksion të vizionit apo të programit të tyre që u ndëshkuan me votën e shqiptarëve. Do të jemi jashtëzakonisht të rreptë me çdo produkt të bashkëpunimit të subjekteve private me Qeverinë aktuale, që lidhet me periudhën pas zgjedhjeve të 23 qershorit".