Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, dhe dy zëvendësit e saj, Antonio Tajani dhe Matteo Salvini, e përshëndetën marrëveshjen tregtare për tarifat mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, duke e quajtur atë një “zgjidhje të negociuar” që garanton stabilitet dhe ruan unitetin e Perëndimit.
Në një deklaratë të përbashkët, liderët italianë theksuan se ky është një rezultat për të cilin institucionet evropiane dhe shtetet anëtare kanë punuar intensivisht dhe me përkushtim. “Kjo marrëveshje është një rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe do të na ndihmojë të shmangim çdo përplasje të mundshme ballë për ballë mes dy anëve të Atlantikut”, shtuan ata.
Sipas Melonit dhe kolegëve të saj, qeveria italiane do të vazhdojë të ndjekë qëllimin e ruajtjes së unitetit të Perëndimit, duke besuar se çdo ndarje midis SHBA-së dhe BE-së do të dobësonte të dyja palët dhe do t’i ekspozonte ato ndaj sfidave globale.
“Marrëveshja garanton stabilitetin, një element kyç për marrëdhëniet mes dy sistemeve ekonomike dhe bizneseve shumë të ndërlidhura, siç janë ato të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara”, përfunduan ata.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, gjithashtu e përshëndeti marrëveshjen tregtare dhe theksoi se ajo ka shmangur një përplasje të mundshme tregtare që do të kishte pasoja të rënda për ekonominë gjermane, veçanërisht për sektorin e automobilave. Merz e cilësoi këtë si një “zhvillim pozitiv” që do të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit ekonomik të Evropës.





