• Kryeministri Edi Rama deklaroi sot përmes Facebook-ut se qëllimi i vetëm i opozitës është që të mashtrojë qytetarët. Lidhur me akuzat e Partisë Demokratike për çmimin e naftës, Rama sqaroi se në vitin 2013, çmimi i naftës ishte 195 lekë/litër, ndërkohë që sot është 160 lekë/litër.

22 janar 2015 –  Por reagimet e ndjekësve të tij kanë qenë nga më të ndryshmet, shumica prej të cilëve kanë hedhur akuza ndaj qeverisë dhe vetë kryeministrit Edi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se akuzat e opozitës bien mbi plagët që vetë ajo hapi kur ishte në pushtet, si borxhet e mëdha, krimin, dhe atë që ai e quan “kancerin e korrupsionit në arsim dhe shëndetësi”.

Përsa i përket çmimit të naftës, kryeministri Rama sqaron në një status të dytë në Facebook, se çmimi nuk është rritur po është ulur dhe se sot paguajmë 20% më pak se një vit më parë. Sipas tij, që të krahasosh një vend si Shqipëria, që sapo ka dalë nga një “gropë e madhe”, me vendet evropiane të mëdha si Anglia apo Gjermania, nuk do të thotë se qeveria duhet të ndërmarrë politika “badjahava” dhe të luajë me fatin e vendit”.

Postimi i Ramës në Facebook:

Ju thanë që çmimi do rritet si askund në botë. Që veturat, kamionët, anijet, madje edhe furrat e bukës do ndalen. Tani ju thonë pse nuk ulet më shumë se kudo në botë… Sepse kanë vetëm një dëshirë; T’ju mërzisin sa të munden! Vetëm një punë: T’ju gënjejnë sa të munden! Vetëm një qëllim: T’ju përdorin si të munden! Për një arsye të vetme: Pushtetin e tyre të humbur!

Ngrenë gishtin dhe akuzojnë përditë për plagët e panumërta që hapen vetë. Për borxhet e mëdha. Për gropën e energjisë. Për kancerin e korrupsionit në arsim e shëndetësi. Madje kanë kurajon të na akuzojnë deri edhe për drogën e për krimin që i mbollën dhe rritën në prehrin e pushtetit të tyre.

Janë i mbyturi që mbyt kë i vete pas.