·        Investigim i “Dyrrah”-ut / Më 31 dhjetor 2012 prokuroria shndërron një kallëzim penal në çështje civile për ngordhjen e 8-9 tonë peshk në një rezervuar në Germanj me destinacion Durrësin dhe Kavajën.

·        Historia e rrallë e një militanti të PD-së që ruan ende karrigen ku është ulur në vitin 1991 Sali Berisha në Kavajë, por që mposhtet në biznes nga njerëzit e PR-së

DURRËS, 16 korrik 2013 – Deri në nëntor 2012 në Durrës shitej dhe peshk nga… Kavaja, por këtë e ndërpreu karshillëku i njerëzve të ministrit në ikje të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, ose “kryepeshkatar” Fatmir Mediu ndaj kryeministrit, kështu pretendon një fans i Sali Berishës (ai ruan dhe karrigen ku është ulur ai në vitin 1991).

Në një basen privat të fshatit Germanj të komunës së Lekajt në rrethin e Kavajës ka ndodhur një masakër ekologjike, cila ka pasur si pasojë ngordhjen e një sasie prej 8-9 tonë peshku të kultivuar nga një fermer dhe organet e drejtësisë kanë heshtur, sepse personi që ka shkaktuar dëmin, sipas të dëmtuarit Fiqiret Cani, është kushëri i afërt i Ministrit të Mjedisit Fatmir Mediu.

Cani, i cili për disa vite me radhë ka kryesuar edhe Partinë Demokratike në këtë fshat, është ankuar se personi që i ka shkaktuar dëmin, i ka dëmtuar rezervat e peshkut 2 vite radhazi.

Dëmin e fundit ia ka shkaktuar në muajin nëntor 2012 dhe i dëmtuari Cani dyshon se ngjarja e dëmit të shkaktuar është lënë pas dore pikërisht nga posti i rëndësishëm i Mediut në qeveri.

Dëmi ekonomik, sipas tij, arrin deri në 2,6 milionë lekë.

Sot rezervuari është tërësisht i boshatisur nga peshku, pasi një fabrikë që përpunon ullirin dhe prodhon vajin, e ndërtuar një kilometër larg bregut të rezervuarit, ka derdhur mbetjet e saj në kanalin që derdhet në rezervuarin privat të Fiqiret Canit dhe nga kjo është shkaktuar ngordhja e tërë masës së peshkut të kultivuar në këtë rezervuar, i cili ndodhet në tokën e prindërve të vet dhe që e ka ndërtuar me materialet dhe të ardhurat e tij.

Ai tregon se ka filluar të punojë për këtë objekt që në vitin 2007 dhe se kostoja e deritanishme e ngritjes dhe çimentimit të digës, si dhe punimeve te tjera plotësuese për ta vënë në funksionim për vaditje të tokave të fshatit dhe rritje peshku, i kanë shkuar në rreth 4,5 milionë lekë.

Cani thotë se shiste peshk jo vetëm në Kavajë, por edhe në Durrës dhe Tiranë.

Vitet e fundit ai ka arritur të realizojë mjaft prodhimtari peshku, por pikërisht kur ka filluar të pretendojë të nxjerrë të ardhura mbi investimin e bërë, i është dëmtuar e gjithë sasia e peshkut të kultivuar.

Rezervuari, sipas pronarit Cani, me  një sipërfaqe 2 ha, ka pasur në muajin nëntor të vitit të kaluar rreth 16 mijë copë peshq që kishin arritur peshën mbi gjysmë kilogrami, të llojeve “amur”, “pëllëmbës”,  përveç disa të tjerave që ishin më të vogla.

MASAKRA MJEDISORE

Fermeri Fiqiret Cani ka dalë herët në mëngjes dhe, kur ka shkuar siç bënte zakonisht nga tokat e veta, mes të cilave ndodhet edhe rezervuari, është tronditur kur ka parë se sasia e peshkut te rritur në rezervuar, kishte ngordhur e gjitha.

Brigjet e rezervuarit ishin mbushur me peshk të ngordhur kujton ai.

Ishin 7 deri në 8 tonë peshk që priste të kapte tregun.

Ky ishte edhe rasti i dytë që i shkaktohej kjo ngordhje masive dhe nga i njëjti shkak.

Për të zgjidhur hallin ai i është drejtuar policisë dhe ka bërë denoncimin përkatës në seksionin e krimit ekonomik.

Ka qenë 30 nëntori 2012 kur ka ndodhur ky rast i konfirmuar dhe nga policia.

Ekspertët e krimit ekonomik kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë konstatuar se kishte ngordhur një sasi peshku.

Për këtë kanë fotografuar peshkun e ngordhur ne brigjet e rezervuarit privat si dhe punishten e vajit të B. M.-së.

Ata kanë mbajtur shënim edhe akuzën e Canit dhe kanë konstatuar, sipas procesverbalit të këqyrjes së vendit të ngjarjes, se në afërsi të rezervuarit ndodhet një punishte për përpunimin e ullirit dhe se, pas përpunimit të ullirit, mbeturinat e tyre dalin dhe bien nga punishtja në ujërat e rezervuarit.

Prokuroria pas kësaj ka vendosur mbylljen e çështjes, pasi sipas saj, nuk mund të bëhet ekspertimi konkret nga Instituti i Sigurisë Ushqimore. Ky vendim i është përcjellë të dëmtuarit nëpërmjet shkresës nr. protokolli 127, datë 11 janar 2013, kurse shkresa është konceptuar më 31 dhjetor 2012, nënshkruar nga prokurori Edmond Kariqi (shihni faksimilet).

Vepra nuk është cilësuar vepër penale dhe, mes të tjerave, në shkresë theksohet se mes palëve është rënë dakord që të behet dëmshpërblimi.

GJENDJA E SOTME

Rezervat e peshkut në këtë liqen të vogël artificial prej 2 ha janë të dëmtuara tërësisht.

Pronari Fiqiret Cani thotë se nuk ka marrë dëmshpërblim nga personi që e ka dëmtuar dhe çështja hetimore është e mbyllur.

Ai thotë se personi është kushëri i Fatmir Mediut dhe se për këtë është anashkaluar si problem.

Info/  Karrigia                

Fiqiri Cani është nga demokratët e parë të Kavajës, qysh në vitin 1991 ka qenë kryetar seksioni i PD-së.

Madje, ruan ende një karrige të palosshme të lyer me ngjyrë blu, ku ruhet shkrimi me ngjyrë të bardhë se aty është ulur Sali Berisha në Kavajë.

Por të gjitha këto merita nuk kanë pirë ujë te njerëzit e Mediut, që kanë ndërhyrë, sipas Canit, deri te prokuroria e Kavajës për të mos ndëshkuar dëmtuesin.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/