Kryepeshkopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastas, në një intervistë për “Ethniko Kirika”, gazetë e diasporës greke në SHBA, shprehet se nuk ka frikë nga kërcënimet që vijnë nga disa grupe ekstremiste në Shqipëri. 

“Nuk më çudisin sulmet, që vijnë nga një grup i vogël, një formacion i ri politik me program nacionalist, që çdo gjë sheh nga perspektiva e tij dhe që nuk pasqyrojnë opinionin e përgjithshëm në Shqipëri”, shprehet Anastas. 

Sipas tij, sulmet filluan sapo Kisha Ortodokse kundërshtoi rezultatet e Censusit. “Censusi ishte një surprizë për të gjithë dhe jo vetëm për ortodoksët. Ne analizuam të dhënat dhe provuam se ky regjistrim nuk jep informacion të saktë në lidhje me fenë në Shqipëri. Pasi lëshuam këtë deklaratë, morrëm kërcënimet nga Aleanca Kuqezi. Natyrisht disa njerëzve nuk iu pëlqen zëri i së vërtetës, sepse ata dëshirojnë të krijojnë konfuzion të tillë", shprehet Kryepeshkopi i Shqipërisë. Ai theksoi se "ka edhe të tjerë pas Aleancës Kuqezi që kujdesen për këtë situatë". Anastas Janullatos tregon në intervistë se “shefi i Aleancës Kuqezi ishte më parë zëvendëskryetar i KLD dhe kur u largua nga ky pozicion u bë kryetari i kësaj partie, por në fund do të shohim në zgjedhjet e reja, në qoftë se kjo parti do të ketë përfaqësim në parlament". 

Pyetjes, nëse ka ndonjë reagim të Qeverisë së Shqipërisë për deklaratën e Kishës Ortodokse mbi regjistrimin, Anastas iu përgjigj: "Jo në këtë kohë, por kam përshtypjen, megjithatë, se ngadalë do të kuptojnë se kjo deklaratë është shumë serioze, është një analizë e së vërtetës dhe unë mendoj se do ta marrin seriozisht, ata dhe të tjerët që janë të interesuar". “Censusi ishte jo vetëm një manipulim dhe një mashtrim, por u organizua në mënyrë të tillë që të dilte ky rezultat. E themi qartë se për ne është krejtësisht i pavlefshëm. Kjo metodë joshkencore e ndjekur në regjistrim, ka krijuar një shqetësim të përgjithshëm", shtoi kleriku i lartë.
 
Faktin e evidentuar nga gazetari, që pas 20 viteve punë dhe rindërtimi rrënjësor të Kishës Ortodokse në Shqipëri, merr kërcënime, Anastas e komentoi duke thënë se “kjo është shumë e thjeshtë. Jo shumë janë të kënaqur me rritjen e madhe dhe të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, shumë prej tyre nuk do të donin që të ishte kështu dhe përpiqen të thonë se nuk është kështu, por e vërteta nuk mund të fshihet". Lidhur me kërcënimet dhe kërkesat për t’u larguar nga Shqipëria, Anastas tha se nuk ka aspak frikë dhe u shpreh se "shpesh njerëzit bëjnë “të fortin”, kur nuk mund të bëjnë diçka kuptimplotë". 

I pyetur nëse kërkoi të takojë kryeministri ne Shqipërisë, Anastas u përgjigj "jo unë nuk mendoj se ne duhet të shkojmë në këtë linjë. Çfarë themi, e themi në publik, e themi në gjuhën shqipe, e përkthejmë në gjuhën angleze dhe do t’ua dërgojmë gjithë organizatave”. 

Anastas kujtoi ditën e Krishtlindjes kur u vizitua nga krerët më të lartë të shtetit. “Për të parë paradoksin që ekziston këtu, po ju them se disa ditë më parë në Krishtlindje na vizitoi Kryeministri shqiptar, i cili vlerësoi kontributin e kryepeshkopit të Shqipërisë në përgjithësi, na vizitoi kryetarja e Parlamentit gjithë solemnitet. Patëm një darkë me Presidentin e Republikës dhe gjithë drejtuesit fetarë në vend, sikur gjërat po rrjedhin normalisht, sikur nuk ekziston as regjistrimi dhe as zëri i nacionalizmit ekstrem në vend". 

Po çfarë do të ndodhë në Kishën Ortodokse shqiptare “pas Kryepeshkopit Anastas”? Kryepeshkopi tha se "ne do të vazhdojmë rrugën e Kishës me të gjitha kapacitet e që ajo ka. Aktualisht janë peshkopët shtetas shqiptarë që studionin në Akademinë Teologjike, që kryejnë studimet e tyre në Greqi dhe unë këmbëngul që të marrin dhe Master, dhe ata janë një grup shumë i rëndësishëm".