*Apeli për bashkëpunim te prefekti
“Vendosni tabelat e qarkullimit rrugor e shpëtoni jetë njerëzish, unë jam i hapur, jam i gatshëm të bashkëpunoj me krerët e bashkive, të zgjidhim një prej 2 problemeve me të cilat po ndeshen komunitetet tona: me aksidentet rrugore për shkak se nuk ka tabela në rrugë!” Këtë apel ka dhënë para drejtuesve të institucioneve dhe prefektit, kreu i policisë së qarkut të Durrësit Perlat Çullaj, në mbledhjen e shtabit të emergjencave civile.
“Do t’ju dërgoj specialistët më të mirë të qarkullimit rrugor, të hartohet një plan masash për rivlerësimin e tabelave të qarkullimit rrugor, sepse ka mjaft njolla të zeza në rrugët e qarkut të Durrësit. Vendosja e vetëm disa tabelave mund të shpëtojë jetë njerëzish, por duhet bashkëpunim, polici-bashki, dhe unë jam i gatshëm”, nënvizoi Çullaj.
Bashkëpunim të ngushtë, Çullaj kërkoi midis policisë dhe strukturave të pushtetit vendor edhe për të minimizuar përmbytjet. “Policia e ka bërë detyrën e saj atje ku i kërkohet, sa herë ka situata emergjente. Por unë ju kërkoj bashkëpunim në luftën ndaj abuzuesve, shkaktarëve të këtyre situatave. Është gërryerja e lumenjve, gjuetia e paligjshme, marrja e inerteve pa kriter, prerja e pyjeve dhe ndërtimet pa leje, që kanë sjellë këtë situatë përmbytjesh”, nënvizoi Çullaj.
K.H.





