Shkodër, 28 gusht 2014 –  Shefi i Policisë së Velipojës, Ernest Paluku, nuk është mjaftuar vetëm duke e ngacmuar seksualisht emigranten Rudina. M.

Sipas hetimeve të prokurorisë, Paluku ka tentuar ta puthë në buzë atë në zyrë, ndërsa ajo denonconte dhunën e të shoqit.

Por, 32-vjeçarja ka arritur ta shmangë dhe Paluku e ka puthur vetëm në krah.

Kjo bëhet me dije në dosjen e prokurorisë për hetimet ndaj Palukut.

“Referuar kallëzimit të shtetases R.M., oficeri i policisë, shtetasi Ernest Paluku, e ka ngacmuar me fjalë, e ka kapur për krahu dhe ka tentuar ta puthë, por ajo është larguar dhe ai e ka puthur në krah.

Në kushtet si më sipër, kallëzuar ka kërkuar të largohet, por sipas saj, Paluku ka vazhduar ta ngacmojë, duke i kërkuar një puthje. Në këtë moment R.M. ka dalë nga zyra e shefit të stacionit dhe është nisur në drejtim të Shkodrës.

Pas kësaj ngjarje, ajo kallëzon se oficeri e ka telefonuar disa herë në numrin e telefonit dhe i ka shkruar në Facebook duke i kërkuar të takohen dhe duke e ngacmuar me fjalë në Facebook. Edhe ditët në vijim i ka telefonuar disa herë dhe i ka dërguar mesazhe në Facebook,” thuhet në dosjen e prokurorisë.

Tashmë Ernest Paluku ndodhet prapa hekurave dhe akuzohet për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “ngacmimit seksual”.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/