Prokurori i Përgjithshëm amerikan, Jeff Sessions ka njoftuar publikisht akuzimin e 4 personave për rrjedhje informacioni, në vazhdën e kontrolleve kundër zbulimit të materialeve të klasifikuara.
Ai tha se të dyshuarit janë akuzuar për zbulimin e paligjshëm të informacioneve sekrete, ose fshehje të kontakteve me oficerë të huaj të kundërzbulimit.
Kryeprokurori i Amerikës tha gjithashtu se administrata “Trump” ka trefishuar numrin e hetimeve aktive kundër rrjedhjes së informacioneve, që prej muajit janar. Kjo vjen në vazhdën e kritikave që presidenti Donald Trump i ka bërë Sessions, se nuk ka ditur të menaxhojë këtë situatë.
Ndërkohë, në konferencën për shtyp të kësaj të premteje, Sessions njoftoi se Departamenti i Sigurisë po konsideron ndryshime në politikat e saj për marrjen në pyetje të organizatave mediatike, si pjesë e goditjes prej saj të rrjedhjeve të informacioneve qeveritare.
Një pjesë e kësaj përpjekjeje përfshin hetimin dhe ndjekjen penale të të dyshuarve, siç tha ai, ndërsa një tjetër aspekt është “rishikimi i politikave që prek marrjen në pyetje të medieve”. Ky rishikim vjen pas sugjerimeve të agjentëve të FBI-së, hetuesve të karrierës dhe prokurorëve që kanë marrë në shqyrtim problemin e rrjedhjes së informacioneve.
“Ne e respektojmë rolin e rëndësishëm që luan shtypi dhe duhet t’i trajtojmë me respekt ato, por ky respekt nuk është i pakufizuar”, tha Sessions. “Ata nuk mund të vendosin jetë në rrezik duke i shpëtuar ndëshkimit. Ne duhet të balancojmë rolin e medias me mbrojtjen e sigurisë sonë kombëtare dhe jetët e atyre që shërbejnë në komunitetin e kundërzbulimit, te Forcat e Armatosura, dhe të të gjithë amerikanëve që respektojnë ligjet”.