Janë zhvilluar ditën e djeshme seancat dëgjimore për kandidatët për prokuror të përkohshëm.
Kandidati Artur Selmani, është pyetur për çështjet që ai ka hetuar dhe përbëjnë sukses në karrierën e tij. Në përgjigjen e tij ai tha se atë që quan si sukses është hetimi për rrugën Durrës-Kukës.
KANDIDATI PËR KRYEPROKUROR TË PËRKOHSHËM, ARTUR SELMANI
Alket Hyseni: Mund të na thoni një apo disa çështje që përbëjnë sukses në karrierën tuaj, dhe një apo disa çështje që kanë qenë dështim?
Artur Selmani: Lidhur me çështjet që unë i konsideroj sukses, janë ato çështje që unë kam paraqitur pranë Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
Çështje konkrete me sensibilitet publik, për të cilat do të flisja këtu si sukses, mund të ketë qenë çështja-por nuk do doja të kishte konotacione politike dhe ky është problem i presionit të jashtëm që ju politikanët bëni shpesh ndaj Prokurorisë- është çështja në rastin e Rrugës Durrës-Kukës, ku unë jam paraqitur në Gjykatën e Lartë si prokuror i çështjes dhe në atë kohë suksesi ishte i limituar, pasi e kisha të vështirë të arrija të bindja gjykatën që të ndryshonte vendimmarrjen e saj, lidhur me mosmarrjen e çështjes për shqyrtim për shkak të disa afateve të kapërcyera nga Prokuroria.
Pra ishte vonuar dërgimi i çështjes në gjyqe. Gjykata e Lartë këtë e konsideronte si shkelje dhe gati-gati na rrëzoi çështjen. Një muaj më pas, Gjykata e Lartë vendosi më pas që ajo vendimmarrje para një muaji nuk ishte plotësisht e bazuar.
/Panorama/





