ABC NEWS ka njoftuar në një lajm ekskluziv se ndaj Adriatik Llallës dhe njerezve të tij më të afërt në institucionin e akuzës kanë filluar tashmë procedurat për verifikimin e pasurisë. “Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe konfliktit të interesit, ka nisur hetimin pasuror për kryeprokurorin.

Sipas ABC ky lajm është konfirmuar  nga burimet zyrtare pranë "Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë,  institucion ky që deri pak vite më parë u drejtua nga Llalla. 

Burimet e tij i thanë këtij televizioni se hetimit të detajuar pasuror, përveç kryeprokurorit Llalla, do t’i nënshtrohen edhe 3 prokurorët që shoqërojnë atë gjatë vizitës në SHBA.

“Është urdhëruar nga kryeinspektori i përgjithshëm i ILDKPKI-së të nisë hetimi pasuror për prokruorin e përgjithshëm Adriatik Llalla, drejtoreshën e marrëdhënieve me jashtë në këtë institucion, drejtuesin e prokurorisë për krime të rënda Besim Hajdarmata dhe shefin e akuzës së kryeqytetit Petrit Fusha. Të katër këta zyrtarë të prokurorisë, do t’i nënshtrohen një verifikimi të hollësishëm të pasurisë”, kanë thënë burime të këtij institucioni.

Po i njëjti burim, konfirmoi faktin se verifikimit pasuror do t’i nënshtrohet edhe drejtuesi i prokurorisë së Durrësit Agron Gjana, për të cilin zyrtarë të ambasadës amerikane thanë se i është refuzuar viza për në SHBA, edhe pse ishte pjesë e delegacionit me kryeprokurorin Llalla.