Kryeregjistruesi i vendit ka zhvilluar një vizitë blic në hipotekën e Durrësit, pak minuta para mbylljes së orarit zyrtar të punës. Burime të sigurta kanë thënë për DurrësLajm se gjatë dy ditëve të fundit janë shkarkuar 2 punonjës të këtij institucioni, ndërsa kryeregjistruesi Valdrin Pjetri i ka dhënë një dush të ftohtë administratës duke paralajmëruar shkarkim nga detyra të çdo punonjësi që sorrollat qytetarët.
“Prioritet t’i jepet qytetarit, vetëm një akt verifikimi, nëse ka dokumentacion mangut ai specialist që bën aktin e dytë do jetë i shkarkuar.
Ka mungesë komunikimi me qytetarët, nuk respektoni oraret e mëngjesit në punë” u është drejtuar Pjetri vartësve të Durrësit.
Pjetri kërkoi llogari për lejet e legalizimit, të cilat disa qytetarë nuk I gjejnë në Hipotekë.
“Lejet e legalizimit që kanë ardhur deri tani ku janë? Pse u thoni qytetarëve që kanë humbur? Si i humbisni letrat njerëzve”, vijoi më tej Pjetri.
Keyerregjistruesi gjithashtu tha se kushtet e arshivës në të cilën ruhet dokumentacioni janë skandaloze.
“Pse nuk bëni inventarizimin e praktikave të arshivës? Nga sot ankesa më e parë do të përkthehet në shkarkim. Kush jeni ju që i hidhni ato letra ashtu?”, iu drejtua Pjetri vartësve.
Ndërkohë duke iu drejtuar drejtorit të Hipotekës së Durrësit, Ardjan Iljazaj, Pjetri i tërhoqi vëmendjen për të gjitha problematikat e konstatuara dhe nga ana tjetër i kërkoi që ose të angazhojë të gjithë stafin në punë, ose të japë dorëheqjen.
“Vetëm nga Durrësi kanë mbërritur 102 ankesa në portal…!”, tha Pjetri.





