Në një deklaratë për mediat, kryetari i LRI së Durrësit, Arb Shtylla ka shprehur bindjen se LSI do të dalë forcë e parë, jo vetëm në qytetin bregdetar, por në të gjithë Shqipërinë. Ai shprehet se dita-ditës Lëvizjes Socialiste për Integrim po i bashkohen gjithnjë e më shumë qytetarë, duke e fuqizuar këtë forcë politike. Shtylla ka bërë thirrje që më 25 qershor durrsakët të votojnë LSI dhe do t'i thonë “mjaft” betonizimit të Durrësit.
Deklarata e Arb Shtyllës:
Të ashtëquajturat sondazhe në Durrës po tentojnë të përhapin tymnajë mediatike, por askush nuk ka për ta arritur këtë gjë. Sepse forca jonë e madhe është mbështetja e gjerë popullore, besimi që njerëzit kanë te ne dhe për të cilën ne ju detyrohemi të jemi më pranë tyre. Prandaj në cilësinë e kryetarit të LRI për Durrësit, ftoj të gjithë simpatizantët tanë dhe veçanërisht të rinjtë, të vazhdojmë rrugën e tonë drejt fitores së padiskutueshme, drejt rrugës së pandalshme për të votuar numrin 1 dhe për ta nxjerrë LSI forcë të parë në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë. Partinë Socialiste e ka kapur paniku se po i ikin njerëzit dhe po afrohen te LSI. Por qytetarët kanë nevojë më shumë se kurrë për dyer që rrinë dhe janë të hapura në çdo kohë dhe jo vetëm në fushatë elektorale. Qytetarët durrsakë do japin votën kundër betonizimit të qytetit , votë kundër shkatërrimit të vlerave arkeologjike, votë kundër presioneve për vendin e punës, votë kundër mungesës së ujit të pijshëm në shtëpitë e tyre, votë kundër Vangjush Dakos që ka 10 vite që tallet me fatin e qytetit dhe qytetarëve durrsakë! Prandaj të dashur përfaqësues të kampit të mavijosur, rrini larg LSI, larg njerëzve tanë që kanë dëshirën dhe forcën për të arritur fitore spektakolare që do të nisë nga Durrësi dhe do të triumfojë në të gjithë vendin. Rrini sa më larg presioneve për t’i hequr nga puna, rrini sa më larg punësimeve “alla sezonale” elektorale, sepse qytetaria durrsake e ka bërë zgjedhjen e saj!
Të rinjtë e LRI janë forca jonë më e madhe që nuk e ndal dot as tentativa për baltosje që ju doni të bëni pa shkak, apo më keq akoma që shkon deri në heqje dritash apo uji. Asnjë presion që ushtron administrata tatimore në bizneset e vogla të qytetit nuk do të ndalë verdiktin për një shans për Durrësin. Institucionet shtetërore janë pronë e përbashkët e qytetarëve shqiptarë dhe nuk janë pronë e asnjë partie politike, as e kampit të mavijosur që e ka zënë paniku i humbjes së pushtetit! LSI në këto momente vendimtare për të ardhmen Durrësit, fton çdo qytetar të bëjë zgjedhjen e saj më të mirë, të bëjnë zgjedhjen e votës së lirë dhe të ndershme.
Këtë e ka treguar në këto 4 vite përballë arrogancës së pashembullt të unfiromave mavi, ku anëtarët e saj me integritet të lartë sot janë ish- anëtarë sepse nuk gjetën atë që besuan dhe u premtuan!
Ka ikur koha e fjalëve dhe premtimeve të pambajtura, sot është dita kur t’i duhet të vendosësh me votën tënde!
T’i rikthejmë Durrësit dinjitetin e munguar, vota e Durrësit do të shkojë për numrin 1, më 25 qershor!
Partia nuk është pronë e një njeriu, siç ndodh në Durrës, por është bashkim idesh mes grupimeve të mëdha të njerëzve, sepse çdokush është “lider” i ideve të tij, është “lider” i zgjedhjeve të lira që më pas përkthehen në përkrahje. Kjo na diferencon dhe na bën zërin më të fuqishëm të çdo qytetari në Durrës dhe në anën e mbanë vendit! Ne dimë të jemi një familje e madhe!
ARB SHTYLLA,
Kryetar i LRI Durrës
Kandidat për Deputet Qarku Durrës, i katërit në Listë LSI Qarku Durrës





