TIRANE, 24 maj 2013– Kryetari i PS-së në Prezë, Lavdi Kajmaku, e cilëson të qëllimshme dhe politike vënien e zjarrit në banesën dhe biznesin e tij.

“Unë kam qenë në shtëpinë time. Më ka marrë nga firma nusja e xhaxhait tim. Ka qenë ora 02:40 dhe më thotë: “Hajde se u dogj”. Në ato momente u ngrita dhe shkova atje. Çfarë të shikoja?! Vetëm zjarr. Ia kishin vënë luleve, të cilat i kishin lyer me benzinë. Kishin marrë flakë kamioni, sera. Aty pastaj kam shkuar se brenda kanë qenë disa bombola gazi për të mbajtur në temperaturë serën. Tek bombolat kishin shkuar qëllimisht që t’i vinin flakën”, tregon ai.

Ai tregon se janë djegur plotësisht shtëpia, sera e luleve dhe makinat, por fatmirësisht nuk kishin shpërthyer bombolat e gazit.

“Jo. Fatmirësisht jo. Pastaj kam shkuar dhe kam nxjerrë nipin nga dhoma. Me nusen e xhajës, e nxora jashtë dhe e çuam për serum se ishte i trullosur. Kam shkuar te serat ku ishin bombolat. Më pas kam marrë Policinë e Shtetit në telefon. Kanë ardhur policia dhe zjarrfikëset, të cilat kanë mbërritur pas një orë e gjysmë me vonesë, kur çdo gjë po digjej. Kishte marrë fund”, shprehet Kajmaku.

Ai është i bindur se ngjarja është e qëllimshme.

“Kjo është totalisht politike sepse ne nuk i kemi borxh asnjë njeriu. Ne jemi në punën tonë, punojmë në fshatin tonë, me sakrificat tona”, pohon Kajmaku për Shekullin, teksa nënvizon se minimum i dëmit varion rreth 150-200 milionë lekë.