DURRËS, 23 shkurt 2015 –  Kyetari i degës së PD-së Durrës z. Osman Stafa, në konferencën për shtyp të së hënës më 23 shkurt 2015 ngriti problemin e legalizimit të banesave, që Kryeministri Rama e keqpërdor për fushatë elektorale.

Në  konferencë z. Stafa denoncoi mashtrimet sipas tij të Kryeministrit Rama në vizitën e këtij të fundit në Shijak. Gjithsesi, pyetjet e përfaqësuesve të mediave kryesisht përqendroheshin mbi fushatën e ardhshme elektorale dhe kandidaturat e PD-së durrsake.

Z. Stafa theksoi se brenda së mërkurës do të bëhen publike udhëzimet e ardhura nga qendra përsa i përket fushatës së ardhshme elektorale. Kryetari i PD-së Durrës këmbënguli se kandidatura, që do të përfaqësojë të djathtën në “betejën” elektorale të qershorit do të vendoset nga strukturat e PD-së. Ai theksoi se kjo vendimmarrje do të jetë e përbashkët e në konsultim të vazhdueshëm me partitë aleate të PD-së.

Pyetjeve të gazetarëve mbi qëndrimin e kryetarit Stafa për autokandidimin e z. Gorea (ish-kryebashkiak i Durrësit dhe anëtar i Këshillit kombëtar të PD-së), qoftë edhe si i pavaruar, morën një përgjigje të prerë dhe të qartë nga Osman Stafa.

Deklarimi në një televizion i z. Gorea si dhe artikulli i sotëm në Gazetën Telegraf ( numri i së hënës) është një vendim krejt personal i Z. Arqile Gorea, dhe nuk është aspak vendim i strukturave të PD-së durrsake. Z. Stafa shpjegoi se në mbledhjen e fundit të kryesisë së Degës së PD-së Durrës, ku z. Gorea është anëtar, asnjëri nga përfaqësuesit e kryesisë përfshirë z. Gorea, nuk shprehën ndonjë ambicje për të kandiduar për kryebashkiak të Durrësit.

Z. Stafa, në fund të bashkëbisedimit të vet me gazetarët shprehu bindjen e tij të thellë që PD-ja durrsake, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e vet është plotësisht në gjendje të fitojë Bashkinë e Durrësit, përballë kujtdo kandidature të së majtës.

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/