DURRËS, 16 janar 2015 – Kryetari i PD-së durrsake z. Stafa, në vazhdën e kontakteve me publikun, ditën e sotme, në një konferencë shtypi me përfaqësuesit e mediave në Durrës ngriti dy problem të rëndësishme. Ai shpjegoi pse anëtarët e këshillit bashkiak Durrës përfaqësues të PD-së e bojkotuan mbledhjen e këshillit, ku u aprovua buxheti i Bashkisë Durrës për vitin 2015. Z. Stafa nguli këmbë, që për shkak të arrogancës së Kryebashkiakut Dako buxheti nuk u konsultua me grupet e interestit, me përjashtim të disa individëve, që i bënin fresk Vangjush Dakos.
Projektbuxheti, madje nuk u konsultua e diskutua as në komisionet e ndryshme të këshillit bashkiak, përjashtuar atë të ekonomisë, ku diskutimi u bë sa për të kaluar rradhën. Stafa denoncoi gjithashtu harxhimin e parave të taksave të durrsakëve për të paguar rrogat e militantëve socialistë të punësuar në Bashkinë e Durrësit. Për të theksuar një mesazh publik, kryetari i PD-së disa herë u shpreh për Kryebashkiakun Dako si kryebashkiak në ikje e sipër.
Në deklaratën e z. Stafa u theksua se pas fitores së Bashkisë së Durrësit nga PD-ja dhe aleatët e saj ky buxhet do të amendohet, për t’i shërbyer qytetarisë durrsake jo militantëve socialist. Madje sipas z. Stafa, një grup specialistësh, ndër më të mirët e Durrësit ka filluar punën pranë PD-së lokale pikërisht për të bërë një projekt amendament të buxhetit “Dako”.
Problemi i dytë i ngritur nga Kryetari Stafa ishte rëndimi deri në kufijtë e absurdit i trafikut në Durrës, për shkak të bllokimit të disa shesheve dhe rrugëve nga projektet zhvillimore të Bashkisë.
Përsëri, Kryebashkiaku Dako u akuzua për arrogancë e mendjemadhësi, që po ua plas shpirtin durrsakëve me këtë trafik tejet të rënduar. Aparati i bashkisë u etiketua si i paaftë për të menaxhuar këto projekte pa ua nxirë jetën durrsakëve, pa i bërë thuajse të pakalueshme rrugët e Durrësit. Kryetari i Pd-së i kërkoi Kryebashkiakut Dako, që të paktën të hapte rrugën e Portit për të shfryrë disi trafikun e rënduar, veprim ky që nuk kërkon fonde, por thjesht një koordinim të pushtetit lokal në Durrës me APD të drejtuar nga z. Belortaja.
Kryetari Stafa e quajti këtë bllokim trafiku në Durrës si të qëllimshëm e me synime të liga, kundra popullsisë së Durrësit. Stafa shfrytëzoi rastin për t’i bërë apel prokurorisë të fillonte çështje penale kryesisht, për këtë mënyrë pune të aparatit të Bashkisë Durrës.
/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





