Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Fiona Papajorgji, ka pritur në një takim kortezie kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadorin Silvio Gonzato. Takimi u zhvillua të enjten, më 8 janar.
Gjatë këtij takimi, ambasadori Gonzato e uroi kryetaren Papajorgji për marrjen e detyrës dhe rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakushtëzuar të Bashkimit Evropian për reformën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Ai theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit institucional me Gjykatën Kushtetuese, si një institucion kyç në garantimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve, si dhe në procesin e integrimit evropian të vendit.
Nga ana e saj, Papajorgji shprehu vlerësimin për bashkëpunimin dhe mbështetjen e deritanishme të Bashkimit Evropian ndaj Gjykatës Kushtetuese. Ajo prezantoi disa nga prioritetet e institucionit, që synojnë përmirësimin e cilësisë së vendimmarrjes, përafrimin e jurisprudencës kushtetuese me standardet dhe praktikën evropiane, rritjen e transparencës dhe forcimin e komunikimit me publikun, si dhe përshtatjen me zhvillimet më të fundit teknologjike në fushën e gjykimit kushtetues.
Kryetarja Papajorgji riafirmoi angazhimin e Gjykatës Kushtetuese për ushtrimin e misionit të saj në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, me synimin për të forcuar besimin e qytetarëve dhe për të garantuar mbrojtjen efektive të të drejtave dhe lirive të tyre themelore





