E gjithë vija bregdetare në Durrës është gati për të pritur pushuesit. Ndërmarrja e Shërbimit Komunal në plazhin e Durrësit ka kryer pocesin e dezinfektimit në të gjithë sipërfaqen e bregdetit, pas pastrimit dhe largimit të leshterikëve.

Dezinfektimi është bërë në orët e para të mëngjesit të sotëm nga punonjësit e Ndërmarrjes dhe nga një makineri e posaçme e Shërbimit Komunal, duke përdorur lëndë citrofold si dhe anticovid.

Më herët gjatë muajit prill, duke përfituar edhe nga periudha e izolimit të qytetarëve për shkak të pandemisë Covid-19, Ndërrmarrja e Komunales së Plazhit ka pastruar tonelata me leshterikë, teksa pritej që me stabilizimin e kushteve atmosferike dhe kur të mos kishte më shira, të kryhej dhe procesi i dezinfektimit për të pasur më shumë efektivitet.

Një pjesë e hoteleve kanë vendosur shazllonet dhe çadrat sipas protokollit të masave dhe rregullave kundër Covid-19, teksa pjesa tjetër e hoteleve apo restoranteve me kapacitet mbi 20 tavolina, janë duke kryer përgatitjet e fundit, pasi kanë qenë në pritje të marrjes së lejes për plazhet private.

Këtë vit sezoni turistik është shtyrë deri në datën 15 nëntor, për t’iu mundësuar bizneseve të rikuperojnë kohën e humbur nga pandemia e COVID-19.

S.L.