Duhet të ishte një makineri golash për rikthimin e Skopje në ligën e parë të kampionatit maqedonas, por përkundrazi, me dy javë nga fillimi i sezonit, klubi maqedonas është i detyruar të gjejë një sulmues të ri, pasi  Florent Osmani u largua nga ekipi për arsye fetare. Mund të duket e çuditshme por ka ndodhur dhe këtë e pranon vetë futbollisti maqedonas me kombësi shqiptare. “Emblema e Skopje ka një kryq të cilin unë e kam mbuluar gjithmonë në mënyrë që të mos jetë i dukshëm. E bëja këtë gjë për arsye besimi. Për atë arsye të gjithë më shikonin në mënyrë të çuditshme dhe me kalimin e kohës nisën të më injoronin fare, pavarësisht faktit se unë erdha si një përforcim i bujshëm”, deklaroi Osmani sipas “infOSport.mk”.

Për shkak të sjelljes së tij, por edhe të të tjerëve, drejtuesit e klubit e kanë thirrur futbollistin në një mbledhje. Ishte vendosur që kontrata e tij të përfundonte në mënyrë të parakohshme, por në marrëveshje dypalëshe. Kështu, tani, pas 17 ditësh, Osmani është një futbollist i lirë, pa skuadër. “Bordi drejtues më ftoi në një takim dhe më komunikoi se veprimi im nuk ishte i rregullt dhe nëse dëshiroja të isha pjesë e këtij klubi, atëherë nuk duhej të mbuloja më emblemën. Unë jam një mysliman praktikant dhe feja ime, Islami nuk ma lejon një gjë të tillë. Unë kam mbuluar gjithmonë vetëm kryqin dhe jo të gjithë emblemën. Por, meqenëse ata më ndalojnë të bëj atë gjë, unë vendosa të largohem nga klubi, sepse për mua, feja është gjëja më e shenjtë”, deklaroi Osmani.