Vëzhguesit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit kanë monitoruar votimet e 30 qershorit, ku kanë konstatuar probleme në disa qendra votimi.
Persona të paautorizuar kanë qëndruar në qendrat e votimit, ku kanë vëzhguar dhe mbajtur shënim personat që merrnin pjesë në proces.
Kjo është një nga shkeljet që është konstatuar nga vëzhguesit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të cilët kanë monitoruar votimet në 8 qytetet kryesore të Shqipërisë.
Skëndaj: Prezenca e tyre në ambientet jashtë qendrës së votimit, mund të ketë bërë shkak për intimidim, për një vëzhgim tepër të detajuar se kush janë zgjedhësit që do të votonin dhe më pas për të identifikuar për qëllime politike zgjedhësit që kanë shkuar ose jo për të ushtruar të drejtën e votës.
Po pavarësisht numrit të pakët të votuesve, Drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit Erinda Skëndaj tha se kjo nuk ndikon në certifikimin e zgjedhjeve.
Skëndaj: Nga pikëpamja e të drejtës kushtetuese çdo subjekti i është dhënë mundësia që brenda afateve që parashikon kodi zgjedhor të bëjnë regjistrimin dhe të marrin në zgjedhje. Pra nuk mund të quhen zgjedhje me standard monist ato zgjedhje që u japin mundësinë të gjitha subjekteve të regjistrohen dhe të jenë pjesë e një gare konkuruese të një procesi zgjedhor.
Skëndaj u ndal edhe në qëndrimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve , i cili u akuzua nga opozita për polarizim politik.
Skëndaj: Ajo çfarë na ka bërë përshtypje kanë qenë qëndrimet jo konseguente që ka pasur ky Komision në drejtim të shpalljeve ose njoftimeve që ka bërë personi i ngarkuar me përgjegjësi për të pasur marrëdhëniet me median dhe publikun, që ndërkohë është administratë e KQZ-së dhe nga ana tjetër e Kryetarit.
Një raport të hollësishëm, Komiteti Shqiptar i Helsinkit do ta publikojë ditën e martë pasi të përfundoj edhe procesi i numërimit. /Ora News





