Vijon megaoperacioni policor i koduar “Golden Bullet”. Ndalohet në Rinas, një shtetas tjetër i shpallur në kërkim gjatë këtij megaoperacioni.
Në hyrje, në aeroportin e Rinasit, gjatë përpunimit të dokumentacionit të pasagjerëve, shërbimet e Policisë kanë identifikuar dhe ndaluar shtetasin Alban Bengasi.
Ndaj këtij shtetasi, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, mbi dyshime për përfshirje në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar. Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
Cila është historia e Alban Bengasit
Emri i avokatit Alban Bengasi është përmendur nga vrasësi me pagesë, tashmë i penduar i drejtësisë, Nuredin Dumani.
Në dëshmitë e dhëna para hetuesve disa muaj më parë, kur zbardhi edhe një mori vrasjesh, Nuredin Dumani deklaroi se Alban Bengasi kishte ofruar 120 mijë Euro për të vrarë gruan e tij. Por Dumani nuk e kishte pranuar, duke thënë se “nuk i pëlqente të rrihte gra”. Por me këtë çështje u mor Eljo Bitri dhe një person tjetër, sipas Nuredin Dumanit, të cilët pasi ndoqën ish-bashkëshorten e Alban Bengasit e dhunuan duke e goditur me grushte në fytyrë.
Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, Bengasi ka kërkuar që t’i torturohej e vritej e shoqja, pasi dyshonte se e kishte tradhtuar me shokun e ngushtë. Gruaja u dhunua teksa qëndronte në makinë. Sipas prokurorisë, një person u afrua dhe e qëlloi me grushte për minuta të tëra e si pasojë ajo humbi vetëdijen për të paktën 9 ditë, megjithatë arriti t’i tregojë hetuesve identikitin e autorit duke thënë se ai ishte një person i moshës 28-33 vjeç, rreth 178 cm i gjatë, ezmer, flokë të errët të shkurtër.





