Pas shumë vitesh mbështetje të hapur ndaj regjimit të Vladimir Putinit, avokati rus Ilya Remeslo tani e ka ndryshuar qëndrimin. Ai akuzon presidentin rus për një “luftë të dështuar” në Ukrainë dhe kërkon dorëheqjen e tij, si dhe gjykimin si kriminel lufte.
42-vjeçari, i njohur më parë për sulmet ndaj kritikëve të Kremlinit, gazetarëve dhe politikanëve të opozitës, publikoi të martën në mbrëmje një manifest në Telegram me titullin: “Pesë arsye pse ndalova së mbështeturi Vladimir Putinin”. Në tekst, Remeslo e përshkruan Putinin si një president “të paligjshëm” dhe fajëson qëndrimin e tij mbi 20-vjeçar për dështimin në Ukrainë, shkatërrimin e ekonomisë dhe regjimin autoritar.
Duke folur për The Guardian nga Shën Petersburg, ai tha: “Vladimir Putin duhet të japë dorëheqjen dhe të gjykohet si kriminel lufte. Sistemi i tij personal dhe i korruptuar është i dënuar të shembet, siç po e shohim tani me luftën në Ukrainë dhe gjetkë.” Ai shtoi se vendimi për të folur erdhi gradualisht, pasi nuk mund të heshtte më: “Putini nuk është më ‘njëri prej nesh’. Ai është një person, interesat e të cilit janë të huaja si për Rusinë ashtu edhe për mua personalisht.”
Kritikat e hapura ndaj Putinit janë të rralla brenda elitës pro-Kremlinit, duke e bërë kthesën e Remeslos veçanërisht të rëndësishme. Reagimet e opozitës ishin fillimisht skeptike, por bashkëpunëtori i Alexei Navalny, Leonid Volkov, më vonë pranoi seriozitetin e deklaratave të tij.
Remeslo tha gjithashtu se është i gatshëm të përballet me ndjekje penale: “Jam gati për çdo gjyq kundër meje. Është koha për të thyer këtë rreth vicioz dhe për të folur hapur. Mbaj një pjesë të përgjegjësisë si dikush që e ka mbështetur prej kohësh këtë regjim dhe e ka ndihmuar atë të mbijetojë.”





