Një rrjet prostitucioni është zbuluar nga policia italiane ndërsa në pranga ka përfunduar një 22-vjeçar shqiptar i cili mendohet se drejtonte grupin. Në pranga ka rënë edhe një 28-vjeçare dominikane.
Grupi e kishte shtrirë aktivitetin në zonën e Aquilas në Itali. Sipas medieve italiane, goditja e tij u bë në sajë të hetimeve të kryera nga policia, pasi në një apartament në këtë zonë është raportuar një prezencë e madhe e njerëzve në çdo orë të ditës e natës.
Nga hetimet ka rezultuar se dy të rinjtë e arrestuar kishin ngritur “një agjenci të vërtetë prostitucioni”. 22-vjeçari shqiptar dhe 28-vjeçarja domenikane u siguronin vajzave dhe personave transgjinorë, apartamentin për t’u prostituuar kundrejt një pagese prej 40 euro në ditë.
Me këtë çmim, thuhet se përfshihen edhe linja telefonike dhe adresa në internet, për të kontaktuar me klientët. Një tjetër shërbim i ofruar ishte mbrojtja fizike e prostitutave.
Ndërsa rolet ishin të moirëpërcaktuara ku vajza domenikane kishte për detyrë organizimin, monitorimin dhe kontrollimin e prostitutave në banesë, “duke inkurajuar prostitucionin dhe reklamuar performancën me klientët, si dhe të paralajmëronte prostitutat për praninë e policisë në afërsi të banesës”.
Gjatë operacionit në apartament, u sekuestruan telefona celularë, që përkonin me adresa të abonuara në internet që përdoreshin për aktivitetin e prostitucionit. U sekuestruan gjithashtu edhe 190 prezervativë.





