Gjykata e Lezhës ka dhënë masën e sigurisë “arrest në burg” për Aleks Lulashin. Ai u arrestua tre ditë më parë në Gorre të Fushë Kuqes pasi dyshohet se banesën e tij të braktisur e kishte kthyer si bazë kriminale. Dyshohet se gjente mjete të ndryshme për të furnizuar grupet kriminale për kryerjen e ngjarjeve kriminale.

Në dëshminë e dhënë në polici pas arrestimit, 40-vjeçari është shprehur se prej shumë vitesh blinte dhe shiste sende të ndryshme, por duke mohuar të ketë lidhje me grupe kriminale. Burime bëjnë me dije se shtëpia ka qenë e braktisur, ndërsa bashkëshortja e tij jetonte në një vend tjetër.

Dy ditë më parë, gjatë kontrolleve në brendësi dhe përreth banesës së vjetër në pronësi të Aleks Lulashit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një automjet tip “Mazda” i dëmtuar; 5 motomjete me fuqi të lartë motorike të dyshuara të vjedhura;  4 palë targa, për automjete dhe motomjete, të cilat dyshohet se janë vjedhur në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe në Kosovë; 400 gramë lëndë e dyshuar eksplozive, me fitil zjarrpërcjellës e gatshme për shpërthim: kapuça si maska, doreza dhe skafandra motomjetesh, veshje për kamuflazh, si dhe një sërë sendesh të tjera që do t’i shërbenin grupeve kriminale gjatë kryerjes së ngjarjeve të rënda kriminale.