Nga Gëzim Kabashi
Fred Tema është një nga gurgdhëndësit e pakët në zonën e Ishmit. Ai sapo ka përfunduar së gdhenduri një grup të thjeshtë monumental, kushtuar shkollës së parë shqipe në rrethin e Durrësit, e themeluar 109 vjet më parë.
Tre gërmat e para të alfabetit tonë janë skalitur në një lartësi prej më shumë se një metër, duke i dhënë hijeshi sheshit të ardhshëm që ka filluar të marrë jetë në qendër të njësisë administrative të Ishmit.
Skulptori Qazim Kërtusha, nip Ishmi, tha për BIRN se guri i shfrytëzuar për monumentin është marrë në fshatin Mallkuç, vetëm pak kilometra më tej.
“Megjithëse me bazë shtufi, në shtresa të veçanta është një gur mjaft i fortë dhe është përdorur prej qindra vjetësh në ndërtimet e çdo lloji në këtë trevë,” tha skulptori Kërtusha.
Sipas tij edhe muret e bazilikës 1,500 vjeçare në Gjuricaj, si dhe ato të kalasë mesjetare në qendër të Ishmit janë ndërtuar me të njejtin material.
Megjithëse mosha dhe origjina ende nuk janë konfirmuar me analizat përkatëse nga arkeologët, në fshatrat e pjesës veriore të Durrësit gurët e Mallkuçit shihen qartë në qemerët e shtëpive apo edhe në pjesën e bazamentit të tyre.
Sipas Qazim Kërtushës, pas vrullit të ndërtimeve me materiale të huaja, shpesh herë pa kriter në vitet 2000, ka ardhur koha të rikrijohet një modul ndërtimi tradicional me materialet e zonës dhe po njëlloj të punohet për rikthimin e profesioneve.
Të njejtin shqetësim ka edhe Isuf Shehu, i cili për 20 vjet ka drejtuar shkollën e mesme të bashkuar “Rexhep Mezini” në Ishëm.
“Shkolla u dëmtua nga tërmeti dhe do të rindërtohet së shpejti, por ne jemi të shqetësuar për largimin e të rinjve nga fshatrat e zonës,” tha Isuf Shehu për BIRN.
“Mësimi i profesioneve që të çojnë drejt punësimit në këto fshatra është një nga mënyrat për ti mbajtur të rinjtë këtu,” vazhdon Shehu, sipas të cilit hapja e klasave me drejtimin kamarier, kuzhinjer, gurgdhëndës apo agronom i mesëm do të furnizonte me punonjës të kualifikuar resortet e shumta turistike, si dhe hotelet e restorantet e ngritura në Gjiun e Lalzit dhe në Shën Pjetër.
Bregdeti dhe kodrat e Ishmit kanë mbetur larg njera-tjetrës dhe pushuesit e turistët duken të painteresuar për historinë e zonës, ngaqë pjesa bujqësore dhe ajo turistike nuk e ndihmojnë dhe nuk i shërbejnë të ardhmes së tyre të përbashkët.
Banorët e Ishmit shpresojnë se sheshi i ri, kushtuar hapjes së shkollës së parë shqipe në vitin 1913 do të mundësojë edhe krijimin e një qendre të mirëfilltë, por vështirësia mbetet gjithnjë te gjetja e financimeve.
Isufi, veprimtar i shoqatës “Ishmi” tha se ceremonia për sheshin e ABC-së duhej të bëhej më 5 prill, pikërisht në përvjetorin e urdhërit të firmosur nga Luigj Gurakuqi, ministër Arsimi në qeverinë e Vlorës.
“Por financimi nga Bashkia nuk mjaffton për përfundimin e projektit dhe ne po kërkojmë zgjidhje me biznesmenët e zonës,” tha Shehu.
Sidoqoftë sheshi me gërmat e para të alfabetit në gur ka filluar të marrë pamjen e tij, tamam aty ku nis edhe rruga drejt fshatit Likmetaj, vendit ku ka lindur piktori I madh shqiptar, Ibrahim Kodra.
“Na pëlqen që këtu të ketë edhe një shenjë nga Kodra ynë, një afresk të punuar me motivet e veprave të tij, apo figurën e tij në bronx ulur në një stol pushimi,” vijon skulptori Qazim Kërtusha, ndërsa lëmon me gishta gurin e nxjerrë nga nëntoka e fshatit Mallkuç.
Sipas tij, materiali ndërtimor gjendet shumë pranë sipërfaqes ne ngjyrë okërr, i oksiduar nga koha, ndërsa më poshtë ai është më i fortë dhe me damarë gri në blu.
“Është një pasuri e madhe për këtë trevë, një pasuri që mund të shfrytëzohet edhe për rikthimin e një tradite të vjetër ndërtimi,” shprehet Kërtusha, i preokupuar si gjithnjë për të ardhmen e zonës ku ka lindur i jati.
Pranë tij gurgdhëndësi Fred Tema ndjehet i gëzuar që do të ketë firmën në bazamentin e monumentit kushtuar shkollës.
“Deri tani kam skalitur vetëm gurët e banesave të reja nëpër fshatra, por kur Qazimi më tha se këtë herë do ta kem unë emrin e gdhendur në gur nuk mu besua.” tha Tema për BIRN, ndërsa i jepte pastrimin e fundit gërmave në gurin me lartësi mbi 1 metër.
35 km larg qytetit të Durrësit, Ishmi, kjo njësi administrative me 9 fshatra njihet si treva e Ishmit, që sipas banorëve e ka marrë emrin nga mbiemri “i hijshëm” për shkak të bukurive natyrore të saj.
Në sheshin e ri kanë rënë rrezet e diellit dhe që tani kalimtarët ndalojnë për ta shijuar ndryshimin.