Shembja e qindra objekteve për t’i hapur rrugë rindërtimit ka prodhuar mijëra ton inerte. Deri më tani fadromat e IKMT-së si dhe shëmbjet e kontrolluara me tritol kanë rrafshuar qindra objekte në Durrës, Laç, Thumanë e Shijakut.

Këto interte nëse nuk grumbullohen në landfildet e përcaktuara për t’u përpunuar rrezikojnë të kthehen në një bombë të vertetë ekologjike me pasojë shkatërrimtare për mjedisin.

Kjo është ajo çfarë ka mbetur nga shembja e shkollës së mesme “16 shtatori” në Shijak. Intertet nuk janë hequr ende. Me të drejtë lind pyetja. Ku do të perfundojnë këto inerte? Do të çohen në landfild apo do të hidhen ku të mundet?

Top Channel raporton se ka mësuar se qeveria është duke hartuar një VKM posaçërisht se ku do të shkojnë interet e godinave të shembura të Shijakut meqënëse Durrësi nuk e ka një landfild përpunues. Në të tilla kushte këto inerte parashikohet të shkojnë ne landfildin e Tiranës.

Sakaq, Bashkia e Shijakut do të shqyrtojë mundësinë e përdorimit të tyre për të ndërtuar një argjinaturë mbrojtëse për lumin Erzen që çdo vit ka përmbytur shumë banesa.