Nga Gjergj Thanasi, Thanas Mustaqi

  Një publicist franko-fil-fon, ndonëse i ngeshëm, është treguar i paduruar dhe i pavëmendshëm në leximin e investigimit tonë të botuar në “Dita” me titullin

“Një ish-trafikanti armësh i jepet terminali lindor në portin e Durrësit”  versioni i plotë në “Dyrrah” me titullin “Durrës. Gjermani ish-trafikant armësh mori terminalin lindor në port”

Më 6 mars 2014, në “Dita” z. Genc Burimi ka botuar shkrimin me titullin pretencioz “Replikë mbi koncesionet”. Më së paku, autori e ka lexuar tangjent artikullin investigues, që trajtonte koncesionin e terminalit lindor në Portin e Durrësit. Z. Burimi nuk ka pasur durim, ose ndoshta nuk ka arritur ta kuptojë mesazhin, që përmban ky paragraf: 

“Në këtë shkrim të parë nuk do të merremi me problemet e mprehta nga pikëpamja ekonomike, që ngërthehen në këtë kontratë. Nuk do të trajtojmë sa lekë humb shteti shqiptar nga kjo kontratë më së paku diskriminuese për Shqipërinë dhe shqiptarët, sa dëm ekonomik i shkaktohet operatorëve që do të shfrytëzojnë Portin e Durrësit për operacione importi-eksporti apo transiti. Në shkrim do të trajtohen vetëm problemet, që i shkaktohen sigurisë kombëtare të Shqipërisë por edhe sigurisë kombëtare të aleatëve tanë të NATO-s nga një koncesion i tillë”.

Madje, e përsërisim dhe në fund të investigimit:

“Në shkrimet në vazhdim do të ofrojmë edhe arsyet ekonomike, dëmet që ky koncesion u shkakton shtetit shqiptar, biznesit shqiptar, taksapaguesve shqiptarë”.

Prandaj, gjithë “leksioni” nga Parisi “pse të japim koncesione atje ku fitimi i fëmijëve tanë është i sigurt” apo “ky është problemi themelor i koncesioneve, a janë ato më fitimprurëse për taksapaguesin nëse objekti i dhënë me koncesion do të ishte menaxhuar nga ndërmarrje në pronë publike të shqiptarëve”, nuk qëndron në rastin e investigimit të atakuar.

Gjithashtu, në shkrimin tonë thuhet se

“dhënia me koncesion e Terminalit Lindor (kalatës lindore) në portin e Durrësit është bërë në prag dhe gjatë fushatës elektorale të vitit 2013. Sipas shkresës nr. 2091/3 datë 9 maj 2013 të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, informohet drejtori i Autoritetit Portual Durrës se ka hyrë në fuqi kontrata koncesionare “Për operimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e Terminalit Lindor në Portin e Durrësit”. Kjo kontratë kishte hyrë në fuqi, që në datën 6 maj 2013. Kontrata mban firmën e të ndjerit Sokol Olldashi, në atë kohë Ministër i Punëve Publike dhe Transportit; drejtorit ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës sha Eduard Ndreu dhe përfaqësuesit të kompanisë koncesionare “EMS Shipping & Trading GMBH”, me pronar z. Heiko Luikenga”.

Ne na habit ngatërresa dhe loja e fjalëve që bën z. Burimi mbi

“një farë Heiko Luikengan, ai që ka në koncesion terminalin lindor të portit të Durrësit. Ish-tregtar armësh në botë në vitet ‘80 (le ta kujtojmë se ky është profesion legal edhe sot në perëndim), dënuar me 1992 (22 vjet përpara!!!) për shitje pa fatura pra për trafik mallrash armatime”.

Dëshirojmë t’i kujtojmë Burimit se trafiku apo kontrabanda e armëve nuk është e njëjtë me tregtinë e ligjshme të armëve. Po ashtu z. Luikenga dhe të pandehurit e tjerë nuk kishin problem armësh pa faturë, por futje kontrabandë armësh në territorin e SHBA-së, pra kontrabandë jo tregti e ligjshme armësh. Në këtë rast, siç thotë populli, z. Burimi thjesht ka ngatërruar kekun me byrekun! Në shkrim është folur për probleme të sigurisë, që autori i replikës i anashkalon.

Citojmë: “në këtë koncesion na tërheq gjithashtu vëmendjen edhe këmbëngulja e z. Luikenga për të pasur cikël të mbyllur të shfrytëzimit të Terminalit Lindor d.m.th ai të kontrollojë jo vetëm koncesionin, por edhe agjencinë detare, agjencinë doganore, firmën e ngarkim shkarkimit, sigurinë (security) në terminal etj. Pra, sa më pak sy dhe veshë problematikë, sa më pak hundë-futje në terminal!! Madje edhe dalja nga terminali bëhet nëpërmjet një porte të veçantë, që nuk është nën kontrollin e përhershëm të doganierëve të drejtorisë së doganës Durrës, as nën kontrollin e ekipeve të antikontrabandës të dërguara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Në terminal nuk ka zyra (madje as zyrë-kontejner), ku të punojnë doganierët. Në rastin më të mirë prezenca e doganierëve në terminal do të jetë sporadike, kjo gjë duhet parë gjithnjë në kuadrin e pasjes sa më pak syve dhe veshëve të bezdisshëm në këtë terminal. Është premtuar se do të ndërtohen zyra moderne të standardeve evropiane për doganën e Durrësit etj. etj., por nuk është folur fare deri tani për problemet e mprehta të sigurisë dhe të luftës antikontrabandë, që shkaktohen nga porta e terminalit lindor, e paruajtur nga dogana. Një portë e tillë automatikisht e shndërron Portin e Durrësit në një han me porta të shqyera. Nuk ekziston justifikim i mjaftueshëm për të mos e çmontuar këtë koncesion të dhënë nga administrata në ikje e sipër e ish-Kryeministrit Berisha. Çmontimi i këtij koncesioni, qoftë edhe vetëm për arsye të sigurisë kombëtare, është plotësisht i justifikueshëm”.

Në rastin e këtij koncesioni aplikohet automatikisht procedura e quajtur profili i rrezikut (risk profile). Miqtë tanë perëndimorë kanë vite e vite, në dhjetëra e dhjetëra trajnime, që përpiqen t’u mësojnë doganierëve, policëve, tatimorëve dhe shik-save shqiptarë se çfarë është dhe kur zbatohet profili i rrezikut.

Në polemikë jo vetëm, që nuk sillen argumente kundër shqetësimeve tona që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare dhe të aleatëve tanë në NATO, por edhe argumentet ekonomike janë një çorbë etatiste-çaveziane, me thela nacionalizmi komunist. Fjala vjen dhënia e koncesioneve me fitim të sigurt, apo e shërbimeve monopol është absurditet, vjedhje, krim ekonomik, madje edhe tradhti kombëtare. Në këtë rast një monopol publik shndërrohet në monopol privat me fitim qyl për koncesionarin. Jelcini, ndjesë pastë, këtë gjë përdori në Rusi në fillim të viteve 90-të. Monopolet shtetërore dhe disa prej pasurive më qenësore kombëtare ish-kreu i Kremlinit i kaloi në duart e privatëve duke krijuar të ashtuquajturit oligarkë. Duhet vënë në dukje se në Rusi oligarkët ishin rusë apo çifutë rusë si në rastin e Abramoviçit apo të Berezovskit, ndërsa në Shqipëri, të paktën, me letra (de jure), përfituesit e këtyre monopoleve (pullat fiskale, lotaria kombëtare, markimi i karburanteve etj. etj.) janë të huaj. Qeveria, që shkoi, u soll në mënyrë tipike prej borgjezie kompradore siç do të shkruante Marksi nja 150 vjet më parë. Në Rusi Jelcini me shokë u sollën si borgjezi kombëtare. Përdorëm këtë vokabular, të huazuar nga marksizmi, për t’ia bërë më të lehtë z. Burimi të kuptuarit e thelbit ekonomik të këtij koncesioni.

Polemisti Burimi mund të ndalej dhe të arsyetonte mbi themelësinë e këtyre që kemi shkruar më sipër. Është punë e tij të mendojë se

“dosja e gjatë mbi Heiko Luikengan që zë gati gjithë artikullin dhe shkon deri në akuza mbi ambasadën gjermane në Tiranë, duket krejtësisht e panevojshme”.

Nuk ka rëndësi ndaj kujt bëhen akuzat, e rëndësishme është sa të bazuara në fakte e prova janë këto akuza. Dallimi i gazetarisë investiguese nga opinionllëku (shkruarja e hartimeve me diçiturën opinion), qëndron te faktet jo te llafollogjia në hava. Sesa e dëmton sigurinë e Shqipërisë ky koncension mund të përcaktohet thjesht duke investiguar vetëm rastin e një anije të quajtur “SAJDA” me flamur Belizeje, qw u përpunua nw Terminalin Lindor para disa ditwsh, por këto punë janë për gazetarë investigues, jo për xhenerikë-pompistë-opinionistët, siç i karakterizonte saktë humoristi Drishti.

Ia vlen të përgëzohet z. Burimi se i bën avokati falas ambasadës gjermane në Tiranë duke luajtur me sukses të plotë rolin e një  korespondenti vullnetar nga Parisi. E dimë se z. Burimi nuk dëshiron të marrë në mbrojtje koncesionarin, por, dreqi ta hajë, ka një përkim të çuditshëm më 6 mars 2014, mes polemikës së z. Burimi dhe botimit në disa medie të promocionit që ka bërë kompania turke “Kurum” mbi koncesionin e terminalit të kontejnerëve në portin e Durrësit. Edhe e përditshmja “Shekulli”, ku ka punuar Burimi, e kishte këtë reklamë, ku turqit kërkojnë edhe “një hapësirë më të madhe në sheshe dhe të ketë një kalatë më të gjatë. Kalatat numër 5, 6 dhe 7 duhet t’i jepen këtij terminali në mënyrë që të arrihet operimi intensiv me 2 anije dhe 4 vinça, për të përballuar trafikun e lartë përmendur dhe për të kushtëzuar trafikun e kontejnerëve drejt Portit të Durrësit”.  

Ne mund të marrim guximin të spekulojmë se lepuri i Gencit fle gjetkë. Z. Burimi shkruan se “artikulli i “Dita”-s… merr nëpër gojë një firmë të madhe franceze “Sagem”, që ka bërë me koncesion pasaportat dhe letërnjoftimet në Shqipëri. Është qesharake të pretendosh, siç bëhet në atë artikull, se ky koncesionar nuk është serioz pasi “Sagem”-i ka problem me drejtësinë gjermane për shkak të “Nokia”-s! Fjala është thjesht për një konflikt konkurrence në fillim të viteve 2000, kur “Nokia” akuzonte “Sagem”-in se i kishte kopjuar formën e një telefoni. Përse na e servir “Dita” ketë fakt? Për çfarë u hyn në punë kjo shqiptarëve?”

I kujtojmë z. Burimi se “Sazhem”-i (të na falë që po e shkruajmë si shqiptohet) ka bërë shumë mëkate në Shqipëri me koncesionin. Bën mirë të hapë gazetat, pasi ky “Sagem-Sazhem” ka pajisur me pasaporta dhe terroristë iranianë, të kapur në Itali dhe gjetiu. Kjo pajisje me pasaporta është bërë edhe me kontributin e nëpunësve shqiptarë, por se si ndahet përgjegjësia midis Aleat-Shafran-Sazhemit dhe nëpunësve të gjendjes civile është temë për një tjetër investigim. I kujtojmë replikuesit Burimi se akuza për koncesionarin “Sazhem” bazohet edhe te problemet, që ka pasur “Sazhem”-i me dhënie ryshfetesh politikanëve nigerianë për prodhimin e pasaportave nigeriane nga kjo firmë. Me që jemi këtu besoj se edhe këta politikanët tanë ndonjëherë çoç marrin ryshfete apo jo?! Në këtë koncesion është problem më vete çështja se sa humb shteti shqiptar në bërjen e pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit. “Edicioni” i mëparshëm i pasaportave për dava 4 milionë dollarë humbje çoi në burg një zëvendësministër të brendshëm dhe një drejtor të përgjithshëm policie. Në “edicionin” e tanishëm, opozita e mëparshme socialiste ka pretenduar për humbje mbi 120 milionë euro. Në qoftë i vërtetë ky pretendim socialist, “Sazhem”-in dhe “zaret” e tij shqiptarë i pret “shtëpia” pa qira e Drenovës.

P. S. 1

Ne jemi të habitur pse z. Genc Burimi nuk ka reaguar dhe ndaj një lajmi të “Dita”-s marrë nga “Dyrrah”-u me titull  “Defekt” diplomatik? Dragamina franceze anulon vizitën në Durrës”. Me të tjerash, aty thuhet se “edhe diplomacia ushtarake franceze paska “sëmundje” anijesh, teksa papritur anulohet vizita e paralajmëruar dyditore e dragaminës “Orion” në portin e Durrësit. Ndërsa pritej që më 15 shkurt 2014 dragamina (chasseur de mines) “Orion” e Marinës kombëtare franceze të bregëzohej në portin e Durrësit, mbrëmjen vonë të 14 shkurtit 2014, ERLED, e njëjta agjenci detare shqiptare e Durrësit, e kontraktuar nga marina franceze, e cila njoftoi mbërritjen e “Orion”-it, bëri të ditur se kjo luftanije e ushtrisë së një vendi të NATO-s nuk do të hynte në portin e një vendi tjetër të NATO-s. “Dyrrah”-u shkoi në sallën operative të kapitanerisë së portit të Durrësit paraditen e 15 shkurtit, ku pa njoftimin zyrtar të agjencisë detare ERLED për anulimin e vizitës së luftanijes franceze… “Dyrrah”-u ka mësuar nga burime të tjera të tërthorta se “Orion”-i ndodhej në afërsi të portit italian të Barit, gjë – pak por edhe plotësisht – e besueshme. Ambasada franceze në Slloveni shkruante në një komunikatë për shtyp se dragamina “Orion” e Marinës kombëtare franceze vizitoi [portin] e Koperit më 5 dhe 6 shkurt 2014… Mund të spekulohet / hamendësohet se defekti i “Orionit” që anuloi përkohësisht vizitën në Shqipëri, mund të jetë i karakterit diplomatik, si ato “sëmundjet” e liderëve politikë për të fshehur arsyet e vërteta të anulimit të vizitave… Dihet se Parisi ka pasur njëfarë “feeling”-u me Tiranën e Berishës, sidomos me ish-ministrin e Mbrojtjes Arben Imami, pas blerjes aq të diskutuar, nga pala shqiptare, të helikopterëve francezë “Cougar”, duke injoruar me brutalitet të famshmit amerikanë “Sikorsky”. Bie në sy se Franca ka pasur atashe ushtarak në Shqipëri qysh në dhjetor 1945. E hoqi nga Tirana dhe  çoi në Romë fill pas përfundimit të kontratës për helikopterët. Franca ka vënë veton në dhjetor 2013 ndaj Shqipërisë për negociatat e pranimit në BE”. Do t’i sugjeronim miqësisht z. Burimi, si një njeri me akses në qarqet zyrtare të Francës, të pyesë për arsyet e vërteta të anulimit të vizitës së anijes “Orion” në Durrës.

P.S. 2

I bëjmë të ditur z. Burimi se në shkrimin tonë, në mënyrë të qëllimshme, janë përdorur teknika të PR (public relations) të tipit “iceberg technique” dhe “names dropping technique”. Të tilla teknika na krijojnë komoditetin që në artikullin e radhës të paraqesim fakte, prova e dokumente autentike, të cilat e zbërthejnë këtë koncesion edhe nga këndvështrimi i dëmit ekonomik, që koncesioni u shkakton Shqipërisë dhe shqiptarëve.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/