Hajduti serial i Durrësit ka “goditur” sërish!

Një qytetar ka denoncuar në redaksinë e “DurrësLajm” vjedhjen e radhës të hajdutit, që i veshur me një xhup ngjyrë blu me kapuç dhe mbishkrimin “Kf. Kastroti” ia ka hedhur paq, deri më tani, vjedhjeve të njëpasnjëshme.

Pas dy rasteve të denoncuara me video nga portali ynë, në dy lagje të ndryshme të qytetit, ku vodhi një telefon në një furrë buke dhe një biçikletë në një godinë private, këtë herë ai është futur brenda një shtëpie në lagjen nr.2 të qytetit bregdetar.

Sot konkretisht më ka hyrë në shtëpi dhe policia, me në krye inspektorin e zonës as nuk e njohin e jo më të marrin masa për ndalimin e këtij personi. Është fatkeqësi që ndodh në lagjet më të vjetra të Durrësit, ku dyert rrinë hapur sepse s’ka hyrë kurrë më parë hajdut. Sot për fat të keq dalin lirshëm dhe nuk ka kush t’i ndalojë”, shkruan qytetari.

Ai bën me dije se i janë vjedhur pajisje të kushtueshme dhe mjete pune, si trapano, gur fleksibël dhe po ashtu edhe një biçikletë e vogël.

Problemi është se në polici e kanë denoncuar dhe pas kaq e kaq vjedhjesh në seri policia dhe inspektori thonë se nuk e njohin. I bie që ta gjejmë vetë”, përfundon denoncuesi.

Sikundër e theksuam, kjo është vjedhja e tretë e regjistruar brenda pak kohësh, mirëpo pavarësisht denoncimeve nga media jonë, nuk ka ende asnjë reagim nga policia./K.Gj/DurrësLajm/