13 gusht 2015 – Dy ditë më parë gazeta “DITA” publikoi lajmin se ministri i Brendshëm Saimir Tahiri po i kalonte pushimet në një hotel super të shtrenjtë në Korfuz, një lajm që shkaktoi jo pak reagime. Sipas të përditshmes në fjalë, mesatarisht nata në hotel kushtonte 2-3 mijë euro, shifër e papërballueshme, qoftë edhe për një ministër rroga e të cilit shkon 150 mijë lekë bruto.

“Të dhënat e DITA-s pohojnë se Tahiri pushon në një nga vilat (viletat) e kompleksit ekskluziv në fjalë. Nga faqja zyrtare e Corfu Imperial mësojmë se çmimet e këtyre viletave variojnë nga 1100 euro nata (junior bungalow suite), në 1600-2200-2400-2800-3200 euro nata dhe, për të mos shkuar më tej, ekzistojnë dhe mjedise si Palazzo Sissy dhe Royal Pavillon me përkatësisht 5 mijë dhe mbi 9 mijë euro nata.

Duke dashur të besojmë se ministri Tahiri ka zgjedhur luksin mesatar të këtij resorti, diku tek 2-3 mijë euro nata, sërish do të nevojitej gjithë rroga e tij vjetore për të kaluar një javë në Corfu Imperial”, shkruante “DITA”.

Por, një tjetër e përditshme shqiptare, “Gazeta Shqiptare” në suplementin e saj “Summer Pages” botoi të nesërmen (12 gusht) disa foto të Tahirit në Sarandë, si për të përgënjeshtruar lajmin e “DITA”-s se ministri nuk po pushonte në Korfuz, por në jug të vendit.

Sërish sot vijon episodi i radhës në lidhje me pushimet enigmatike të minisitrit të Brendshëm shqiptar. Duke dashur që të zbardhë këtë “mister”, gazeta syfortë “DITA”, e cila është treguar paksa e ashpër këto ditë në lidhje me qeverinë (duke ditur dhe kaun e saj të majtë), i ka shtruar disa pyetje Tahirit ku i kërkon “llogari” se ku ka qenë z.ministër.

“Nuk duam të merremi as me faktin nëse mjekroshi është Sajmiri as nëse dikush mund të jetë pa problem edhe në Korfuz edhe çerek ore larg Korfuzit.

Por pas këtij botimi kemi disa pyetje publike (për ministrin, jo për Summes P.) Përgjigjen e duam zyrtarisht dhe drejtpërdrejt, jo me goditje nga këndi:

– Keni qenë z.ministër në vilë në Korfuz?

– Sa kushton ajo vilë?

– E keni paguar ju apo miku juaj që ju shoqëronte?

– A i keni premtuar atij postin e drejtorit të ri të përgjithshëm të tatimeve?

Pasi t’u përgjigjeni publikisht këtyre pyetjeve, ne do të publikojmë ku e kemi mbështetur raportimin për qëndrimin tuaj në Korfuz”, përfundon shkrimin e saj e përditshmja “DITA”.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/