Qirinj të ndezur në kujtim të Luljeta Prezës dhe një apel i fortë që gra dhe vajza të tjera të mos pësojnë fatin e saj të trishtë, apo simotrave të saj që kanë rënë viktimë prej dorës mashkullore.

Ky ishte qëllimi i aktivitetit sensibilizues të mbajtur mbrëmjen e së enjtes te Ura e Dajlanit, në vendin ku 32-vjeçarja Preza humbi jetën dy ditë më parë.

Gra dhe vajza të Shoqërisë Civile u drejtuan apelin e radhës autoriteteve shtetërore për të rritur mekanizmat mbrojtës, që t’i jepet fund feminicidit.

“Ne kërkojmë prej strukturave shtetërore forcimin e shërbimeve mbështetëse për të mbijetuarat e dhunës, më shumë strehimore, më shumë  linja telefonike falas për raportim, më shumë shërbimi këshillimi dhe ligjore falas. Kërkojmë që shteti të promovojë barazinë gjinore dhe edukimin feminist në lëndë të posaçme për kurrikulat shtetërorepër të parandaluar dhunën dhe ndërgjegjësuar fëmijët për të ç’bërë stereotipet dhe dhunën gjinore”- tha aktivistja Sidorela Vatnikaj.

Për aktivisten Sevim Arbana, shifrat e grave dhe vajzave të vrara ndër vite kanë ardhur duke u rritur, duke shkaktuar një plagë të thellë në shoqërinë shqiptare.

E ndërsa në vrasje të tilla makabre shpesh mungon reagimi qytetar, heshtja mbizotëron edhe mes grave ligjvënëse.

“Numri i grave të vrara fatkeqësisht në vend që të tkurrej u rrit dhe është rritur në mënyrë të frikshme. Ne do të bëjmë një reagim shumë të fortë në institucione si Policia, Prokuroria dhe Drejtësia, sepse këto janë 3 hallkat e para, por nuk mund të përjashtohet dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Do t’i drejtohemi gjithë shtetit, gjithë politikëbërësve. Më e tmerrshme është që asnjë nga gratë në parlament nuk reagon. Ku janë këto gra?!”,- tha Arbana.

13 gra të vrara vetëm në 3 muaj janë një këmbanë e fortë alarmi për të gjithë shoqërinë.

M.B.