Në 17 shkurt e gjithë Kosova ishte në festë, pasi populli kremtonte 4-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Aspiratat shumëvjeçare të shqiptarëve të Kosovës u bënë realitet në 17 shkurt të 2008-ës, kur parlamenti i vendit shpalli mëvetësinë dhe nisi proçesin e njohjes së shtetit më të ri në botë. Që nga viti 1999, kur qindra mijëra kosovarë u larguan të përndjekur nga regjimi serb, që kishte nisur në atë kohë fushatën e pastrimit etnik, u deshën gati 10 vjet përpjekje diplomatike për të bërë realitet ëndrrën e vjetër të kosovarëve, pavarësinë e vendit. Krahas përpjekjeve diplomatike, angazhimit administrativ dhe ushtarak të OKB-së, BE-së dhe NATO-s në Kosovë, takimeve të shumta të liderve europianë me politikanë kosovarë dhe presioneve ndaj Serbisë, një kontribut mjaft të madh në këtë çështje dha Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe mijëra luftëtarë që dhanë jetën për çlirimin e atdheut. Të bashkuar të gjithë për të njëjtën çështje dhe të njëjtin flamur, këta bij dhe bija të Kosovës dhe Shqipërisë bënë një sakrificë sublime, shumë prej tyre dhanë dhe jetën, për lirinë e vendit. UÇK-ja nisi të funksiononte në vitet ’90 si një organizatë nacionaliste që po përpiqej për çlirimin e vendit.
Në ato vite, pas rënies së perdes së hekurt në Europën Lindore nisi shpërbërja e Jugosllavisë së asaj kohe. Pas shkëputjes së Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të zi e Maqedonisë, shqiptarët e Kosovës (të organizuar në fillim në grupe guerrile e më pas në një ushtri të mirëfilltë, UÇK) nisën përpjekjet e tyre për t’u shkëputur nga tutela e Serbisë. Ndërsa në atë periudhë angazhimi i tyre primar ishte pavarësia e vendit, tani, 13 vjet pas mbarimit të luftës së UÇK-së, shumë prej luftëtarëve të asaj kohe ndihen të zhgënjyer e të harruar nga shokët e tyre të dikurshëm të armëve. Gjatë bisedës me Sabri Micajn, i angazhuar në ato vite në strukturat e UÇK-së dhe tani sekretar organizativ i partisë Bashkimi Demokrat për degën e Prizrenit, konstaton në zërin e tij trishtim kur e pyet se ku ndodhen tani bashkëluftëtarët e tij dhe sa vazhdojnë ata të japin kontribut për ndërtimin e shtetit, për konsolidimin e institucioneve dhe eleminimin e fenomenit të korrupsionit (mjaft i përfolur), si dhe për zgjidhjen e problemeve kardinale, me të cilat Kosova, si shtet i ri që është, i duhet të përballet çdo ditë. “Disa nga shokët tanë dhanë më të shtrenjtën gjë që kishin, jetën, për lirinë e Kosovës, disa janë kthyer në vendet e huaja ku jetonin më parë, disa jetojnë në gjendje mjaft të vështirë ekonomike, të papunë, të pashpresë, ca të tjerë veten e tyre e kanë gjetur mjaft mirë nëpër parti të ndryshme politike, shpeshherë të ndarë e kundërshtarë, disa për fat të keq nuk rrojnë më. T’i kujtosh shokët e idealit e të luftës është mjaft e vështirë se e sotmja na ka ndarë në rrugë të ndryshme. Do doja që kjo mos të ishte e vërtetë, po ja që për fatin e keq e vërteta është kjo që po them. Do doja të ishim bash si dikur po për fatin tonë të keq nuk është ashtu siç kam dëshirë unë”, – rrëfen Micaj për gazetën “Dyrrah”.
Sabriu është i vetëdijshëm që jeta i ndan njerëzit, që dikur jetonin, punonin e luftonin për një çështje të përbashkët, por ama sheh me sy kritik harresën me të cilën shteti dhe organizmat e tij i kanë dënuar disa nga ata që vite më parë rrëmbyen armët për të bërë të mundur pavarësisë e Kosovës. Ai kujton rastin e bashkëfshatarit të tij, Nazim Pula, i lindur në vitin 1962, në Vërmic, një fshat i vogël pranë kufirit Kosovë-Shqipëri, në një familje me tradita kombëtare. Sabriu rrëfen se “që në ditët e para të pranverës kosovare të viteve ’80, kur ishte nxënës i shkollës së mesme, Nazimi u lidh me grupet e para ilegale të lëvizjes popullore dhe mori përsipër organizimin dhe shtrirjen e grupit në zonën e Lumës. I diktuar nga UDB-ja jugosllave ai burgoset në janar të ’82-it. Pas daljes nga burgu largohet nga vendi, por për asnjë çast nuk heq dorë nga organizimi i strukturave që përpiqeshin për organizimin e luftës për mbijetesë të popullit shqiptar të Kosovës. Në vitin 1997 kthehet ne vendlindje dhe lidh kontakte me grupet guerile tashmë të organizuara nën petkun e UÇK-së. Gjatë 1998-ës, Nazimi me disa shokë të tjerë zhvillon takime të shumta me banorët e fshatrave Vërmic, Shkozë, Dobrusht, Zhur, etj për t’u shpjeguar në detaje rëndësinë e luftës së lavdishme të UÇK-së. Në vitin 1999, kur popullata e Kosovës dëbohet me dhunë në drejtim të shtetit amë, Nazimi me shokë vendoset në Kukës si përgjegjës kryesor në mobilizimin e rekrutëve të UÇK-së në brigadën 127/128 me komandant Ruzhdi Saramatin”.
Pas luftës, kur nisën të krijoheshin partitë politike dhe të ngriheshin strukturat e para shtetërore të Kosovës, nën mbikqyrjen e OKB-së, Nazimi u angazhua në rradhët e PDK-së, ku kontribuoi për shtrirjen dhe organizimin e brendshëm të kësaj force politike në Prizren dhe në fitoren e saj të thellë në nivel lokal dhe qendror në vitin 2007. Por megjithë angazhimin maksimal të Nazimit për çështjen kombëtare, Sabri Micaj kujton se vëmendja e strukturave shtetërore ndaj tij ishte mjaft e pakët. I diagnostifikuar me kancer dhe në një gjendje mjaft të vështirë ekonomike, Nazimi nuk u trajtua si person, i cili kishte kontribuar që nga fëmijëria për çështjen kombëtare. Sipas Micajt ai nuk u përfill nga pushtetarët lokalë dhe nuk iu dha një ndihmë sado e vogël qoftë morale, qoftë materiale duke e lënë të shuhej në dhimbjen e tij, pa i ofruar mundësinë që të përfitonte një mjekim të specializuar që mund t’i shpëtonte apo t’i zgjaste jetën. Për shokun e tij të fëmijërisë, Sabriu ndjen dhimbje pasi konstatoi se me sa mospërfillje sillet shteti ndaj atyre që dikur ishin gati të jepnin dhe jetën për lirinë e Kosovës. E ndërsa pikëllimi për fatin tragjik të Nazimit i duket shumë qartë në sy, Micaj vijon të tregojë se si PDK-ja, partia, që doli nga rradhët e UÇK-së, ku u rreshtuan shumë ish luftëtarë të saj e ku kosovarët kishin shumë besim në ato vite të para të pas luftës, ka zhgënjyer shumë nga aspiratat dhe pritshmëritë e tyre. Sipas tij, angazhimi në politikë i ka tjetërsuar shumë nga ish liderët e UÇK-së dhe drejtuesit aktualë të qeverisë së Kosovës.
Micaj përmend rastin e Zafir Berishës, deputetit të Prizrenit dhe kryetarit të degës së PDK-së në Prizren deri në vitin 2010, vit, kur ai dha dorëheqjen nga kjo parti, pasi lëshoi akuza të ashpra ndaj liderve aktualë, Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi. Në letrën e tij të dorëheqjes nga strukturat partiake, por jo nga mandati i deputetit (doli deputet i pavarur), Berisha shkruante se,- “ishte shumë i zhgënjyer me njerëzit dikur shokë të luftës e pas luftës edhe bashkëveprimtarë të PDK-së, që për interesa të ngushta, shumë të ngushta, janë verbuar nga pasuria dhe luksi dhe përdorin metoda staliniste për të eliminuar njerëzit politikisht dhe të sjellin rreth vetes servilë. Unë dhe familja ime një jetë të tërë i kemi dhënë Kosovës dhe me asnjë mënyrë nuk do të lejoj që të luhet me dinjitetin tim dhe të familjes sime nga askush, e aq më pak nga ata që partinë e udhëheqin në stilin e COSA NOSTRA-s”. Duke u ndalur tek figura e Berishës, Micaj rrëfen shkurtimisht rrugëtimin e këtij djaloshi që në vitin ’92 ishte i bindur se Kosova nuk çlirohej me konferenca për shtyp që mbante politika kosovare e asaj kohe, por vetëm me luftë të armatosur e për këtë arsye organizoi në pranverën e atij viti një sulm kundër stacionit policor në Prizren me një grup të vogël shokësh. Krismat e automatikëve, të shkrepura kundër policisë serbe, do të ktheheshin në aksionin që frymëzoi të gjithë popullin e zonës, për shumë vite. Ndërsa emigron në Gjermani, për të mos rënë në duart e serbëve, ai mban lidhje të forta me eksponentë të rëndësishëm të lëvizjes shqiptare në vendet europiane dhe në janar të vitit 1998 vendos të kthehet në Kosovë për t’u angazhuar në rradhët e UÇK-së. Pjesëtar i brigadës 125, së bashku me shumë djem e vajza të Vrrinit, ai nuk lejoi ofensivat serbe të depërtonin në atë zonë. Ndërkohë, pas luftës Berisha vazhdoi aktivitetin e tij si kryetar i shoqatës së veteranëve të luftës, qëllimi kryesor i së cilës ishte rehabilitimi i dëshmorëve dhe vendosja e përkujtimoreve, busteve e monumenteve për figurat më të spikatura të asaj periudhe.
Në të njëjtën kohë, gjatë këtyre viteve, Berisha bëhet anëtar i PDK-së dhe në vitin 2007 fiton një mandat deputeti nën siglën e kësaj partie në Prizren dhe është një ndër nënshkruesit e deklaratës së pavarësisë së Kosovës. Megjithëse shumë i lidhur me partinë e Thaçit, në vitet në vazhdim nisin të përvijohen kontradiktat e para, të cilat në vitin 2010 do të kulmonin me dorëheqjen e Berishës nga PDK-ja dhe krijimin e një formacioni të ri politik, Bashkimi Demokrat. Ashtu siç Berisha shkruan në letrën e hapur drejtuar mbështetësve të tij, por ashtu siç tregon edhe Micaj, diktati i ushtruar nga kryesia e kësaj partie për vendosjen e personave të caktuar në poste drejtuese të institucioneve të Prizrenit duket se kanë përbërë një nga arsyet kryesore të kësaj ndarjeje. “Këta dy shembuj që ju tregova, por dhe rasti im apo i shumë shokëve të tjerë që nuk po i përmend këtu,- thotë Micaj,- tregojnë mjaft qartë sesi shokët e idealit, luftëtarët që dolën nga rradhët e UÇK-së, jo gjithmonë gjejnë gjuhën e përbashkët apo ndajnë të njëjtin mendim për çështje të ndryshme. Tashmë që Kosova po konsolidohet si shtet është e rëndësishme të kujtohen idealet për të cilat luftuan dhe dhanë jetën shumë bij të kësaj toke dhe të vlerësohen e respektohen figurat që punuan shumë për të bërë realitet këtë ëndërr të vjetër të të gjithë kombit tonë”.
Në rrugën e konsolidimit të saj si shtet, Kosova ka ende shumë për të bërë, por e rëndësishme sipas Micajt është të mos harrohet kontributi i dhënë nga shumë të rinj e të reja gjatë luftës, gjaku i shumë dëshmorëve, martirizimi i shumë familjeve shqiptare nga ushtria serbe dhe në të njëjtën kohë të punohet nga qeveria Thaçi për të ndërtuar shtetin e së drejtës, që respekton të gjithë qytetarët e tij e jo vetëm vullnetin e pakicës.