Kaluan mbi dy vjet që Ju, zonja Mimi Kodheli, po kryeni detyrën e Ministres së Mbrojtjes. Për nga rëndësia, detyra e Ministrit të Mbrojtjes është një ndër më të rëndësishmet në qeveri. Duke qenë një ministri e tillë, Ju duhet të jeni patjetër një nga më të përzgjedhurat e partisë tuaj, së cilës i keni shërbyer me devocion.   Në fushatë dhe, sidomos pas 23 qershorit 2013, kur koalicioni i majtë fitoi bindshëm, kemi ndjekur me shumë vëmendje dhe interes deklaratat Tuaja, sidomos ato që do ti kthehet ushtrisë Shtëpia Qendrore, Spitali Ushtarak, do të dërgonit për ndjekje penale për korrupsion ish ministrin që zëvendësuat, do të shfuqizohej akti normative që goditi direkt ushtarakët në pikën më nevralgjike, në atë të pensioneve, si i vetmi burim i mjeteve të jetesës së tyre, dhe shumë deklarata të tjera.   

Patëm besim të plotë se deklaratat e bëra, pas fillimit të detyrës do të viheshin në jetë dhe me këto, dinjiteti i nëpërkëmbur për ushtarakët, deri diku do të ngrihej më lart. Por jo, nuk qe e thënë se do të ndodhte kështu. Deklaratat bombastike një e nga një u hodhën në kosh të plehrave. U padit në gjykatë ish ministri Arben Imami për korrupsion, por pas ca kohe padija u tërhoq. Pse? Nuk ishit në gjendje me ekipin tuaj të saktësonit akuzën me prova të plota, për cilin problem akuzohej dhe sa ishte dëmi ekonomik i shtetit, apo ishte deklaratë elektorale dhe ministri nuk ishte i korruptuar?! Por, nga kjo akuzë e rëndë që del bllof, edhe Ju keni përgjegjësi, por nuk dëgjuam që ndonjë nga formuluesit e akuzës, jo vetëm nuk iu dërgua drejtësisë, por as edhe nuk u shkarkua nga detyra. Nuk u zu fare në gojë edhe as nuk u bë ndonjë përçapje për t’i kthyer ushtrisë shtëpinë qendrore të kulturës, sikurse u deklarua. Por nuk mjaftoi kjo, por edhe ai, ish hotel i ushtarakëve që u bë rikonstruksion, ju dha pa hezitim institucioneve të tjera. Sot në Shqipëri, ushtria, jo vetëm shtëpi kulture a si ta quajmë atë nuk ka, por nuk ka as edhe një dhomë! Pse? Ku e çuat ushtrinë kështu? A keni menduar ndonjë herë. Pse ato pak homazhe që bëhen për ushtarakët që ndahen nga jeta, bëhen në Muzeun e Armeve në fund të oborrit të Shkollës së Bashkuar, dhe nuk bëhen në këtë shtëpi?  

Një problem tjetër shumë i ndjeshëm për ushtarakët, për ata aktivë dhe ata në rezervë e në pension, është ai i deklaratës së fuqishme dhe të përsëritur disa herë në fushatë elektorale në vitin 2013 që, akti i parë i qeverisë do të jetë shfuqizimi i aktit normativ të qeverisë Berisha në nëntor 2010 dhe të kthyer në ligj me ligjin nr. 10367 datë 23.12.2010, që ushtarakët në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi i goditi tepër rëndë, sepse uli dy kushtet kryesore të përfitimit, atë të pagës mbi të cilën llogaritej e drejta dhe përqindjen e përfitimit. Kjo, e shoqëruar edhe me ngathtësinë dhe vonesën e rillogaritjes, jo vetëm uli ndjeshëm masën e pensionit të parakohshëm, por i nxori përfituesit e këtij pensioni në borxhlinj të mëdhenj ndaj shtetit, aq sa edhe ata që dalin në pension të plotë pleqërie, do ta kthejnë këtë borxh edhe deri në vitin 2029.   Zonja Kodheli, a do t’i mbani premtimet dhe deklaratat e bëra nga Kryeministri dhe vetë Ju, a keni kurajo të dilni para ushtarakëve dhe të argumentoni pamundësinë e zbatimit të tyre, apo ato ishin mashtrime elektorale që bënë politika për të marrë sa më shumë vota?  

Por të kthehemi tek titulli i këtij shkrimi, ku jeni Zonja Kodheli? E kemi bërë këtë pyetje shumë herë mes nesh dhe, jemi munduar ta zbusim problemin në periudhën e parë të fillimit të detyrës. Kemi bërë shumë kërkesa për takim, por deri tani takim nuk kemi bërë me Ju, dhe meqë kanë kaluar më shumë se dy vjet e nuk kemi parë asnjë lëvizje, po jua sjellim Juve, në shtyp kërkesën për takim, sepse kërkesat që janë përsëritur shumë herë me shkrim, po qe nevoja i rreshtojmë edhe numrat e tyre. Ato i ka dërguar Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, që janë mbi gjashtë të tilla dhe, ç’ ka është më e keqja, Ju as nuk na keni kthyer një përgjigje. Kthimi i përgjigjes është jo vetëm një normë morale, por edhe detyrim ligjor. Pse nuk na keni pritur në takim? Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë është antare e Konfederatës Ndëraleate të Oficerëve në Rezervë të NATO-s (CIOR), që nga viti 2009, dhe Ju nuk dini se ç’është kjo shoqatë dhe, nuk i jepni ato të drejta që ligji i statusit të ushtarakut ia jep.  

Ju, zonja Kodheli dhe aparati Juaj nuk ndjeni asnjë përgjegjësi për ushtarakët në pension të parakohshëm dhe ata në pension pleqërie. Shoqata Komb. e URSH-së, sa herë që bëhen nga ministria materiale apo vendime e ligje që prekin interesat e ushtarakëve në rezervë e në pension, duhet të jetë antare e grupit të punës ministror apo ndërministror. Ministria e Mbrojtjes ka përgatitur e dërguar në qeveri e në Parlament shumë ligje e vendime dhe, mbas miratimit nuk është kujtuar të punojë për zbatimin e tyre, por i ka lënë në harresë. Kjo duket se është një metodë pune, si zvarritja dhe harresa, për çdo ministër, të majtë apo të djathtë. Zonja Ministre, keni mirësinë dhe merrni e lexoni vetë, jo me informacion nga të tjerët, ligjin nr. 9210 datë 24.03.2004, “Për statusin e Ushtarakut”, se çfarë detyrimesh ka ministria për zbatimin e tij. Nuk po citoj të gjithë nenet e këtij ligji, por vetëm një, vetëm nenin nr. 47, i cili përcakton:    “Detyra dhe përgjegjësia e organeve shtetërore për sigurimin e statusit të ushtarakut.  

1. Institucionet qendrore vendore dhe komandat e njësive ushtarake, brenda kompetencave dhe në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të akteve të tjera ligjore e nënligjore, sigurojnë zbatimin e statusit të ushtarakut.  

2. Për mosplotësimin e detyrimeve që përcaktohen në këtë ligj personat përgjegjës mbajnë, sipas rastit, përgjegjësi disiplinore, civile dhe penale, të cilat përcaktohen me dispozita ligjore.” Më qartë nuk ka ku shkon, Parlamenti ka nxjerrë ligjin dhe caktuar përgjegjësit për ata që kanë detyrim ta zbatojnë. Afati më i gjatë për nxjerrjen e akteve ligjore e nënligjore është 24 muaj, pra 2 vjet. Nga prilli i vitit 2004 deri në shtator 2015, janë 11 vjet e 5 muaj. Pse nuk janë nxjerrë aktet e duhura që sigurojnë zbatimin e statusit, a është marrë ndonjë herë në shqyrtim zbatimi i tij, kush e ka përgjegjësinë dhe ç’masa janë marrë, qofshin këto disiplinore apo penale për mos zbatimin e neneve të tij? Se punohet pa përgjegjësi, prandaj edhe drejtorët e drejtorive në ministri tregojnë përralla kur bisedojmë me ta dhe, përfundimi, bëhet një material i tillë, si ai datës 11.07.2014 që cituam më lart. Por ka dhe më, drejtoresha e Legjislacionit shkruan se, për të përfituar të drejtën e ndihmës shëndetësore, shoqata e ushtarakëve, duhet të bëjë çdo vit projekt buxhetin dhe ta paraqesë në ministri. Ku e gjete këtë detyrim ligjor për ne moj zonjë?  

Halle, probleme e ankesa ushtarakët kanë shumë, por për to nuk ka interesim nga askush, edhe pse ka një drejtori në ministri, që ka një emër të madh, Drejtoria e Përkujdesjes. Nuk do të zgjatem më tej, por po e mbyll këtë shkrim me një pasazh nga letra që Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë i ka dërguar zonjës Kodheli më 3 tetor 2014: “Kemi mendimin se për ushtarakët e liruar, në rezervë dhe në pension, Ministria e Mbrojtjes duhet ta ketë kurdoherë derën e hapur dhe pritjen e ngrohtë. Ajo duhet të jetë mbrojtësja dhe avokatja kryesore e të gjitha të drejtave të tyre në çdo institucion”. A është kështu kjo ministri? Nga veprimet që bëhen, them se nuk është kështu. Atëhere, për kë është kjo ministri? Po Ju, zonja Kodheli, ku jeni që nuk i vini gjërat në vendin e duhur? Ai që vë në lëvizje gjithë aparatin e ministrisë, patjetër që kryesor është ministri, po në Ministrin e Mbrojtjes ç’bën Ministrja, a e ndjek dinamikën e zbatimit të ligjeve dhe vendimeve që ka nxjerrë vetë? Ku jeni zonja Kodheli, që kaluan mbi dy vjet dhe me gjithë kërkesat e përsëritura, po jua themi edhe një herë, nuk i pritët një herë përfaqësuesit e Shoqatës KURSH! Pavarësisht në do t’i zgjidhnit apo jo problemet, por t’i dëgjonit një herë, ç’kanë këta që më kanë bërë kaq letra për takim?!  

Ne gjithmonë shpresojmë, edhe tani shpresojmë që, ndoshta do të kujtoheni edhe për ne ndonjë ditë. Ushtria nuk është vetëm ajo, që keni me uniformën veshur.

Marrë nga gazeta "Sot"