13 gusht 2014 – Një shëndet më i mirë dhe një jetë më e gjatë për gratë të cilat ndjekin diktatet e dietës mesdhetare. Një studim tjetër promovon edhe një herë ushqimet e Mesdheut si një kurë e vërtetë, por edhe e shijshme.

Të reja të mira për gratë, në veçanti për ato të moshës së mesme. Sipas një studimi të ri, dieta mesdhetare jo vetëm që promovon shëndetin e mirë, por edhe zgjat jetën. Krenaria veçanërisht e Italisë, e ashtuquajtura dieta mesdhetare, përbëhet kryesisht nga ushqime të tilla si fruta, perime, drithëra, vaj ulliri… të gjitha të pasura me substanca të dobishme për organizmin. “Gratë me sjellje ushqyese më të shëndetshme gjatë moshës së mesme, është zbuluar të kenë 40% më shumë shanse të jetojnë mbi moshën 70-vjeçare”, ka komentuar dr. Sesilia Samieri, e cila ka udhëhequr një studim.

Studimi i publikuar në “Annals of Internal Medicine”, është kryer nga Samieri dhe kolegët e saj duke shqyrtuar kartelat mjekësore dhe dietat e më shumë se 10 mijë grave që ishin pjesë e studimit “Nurses’ Health Study” dhe të cilat kishin një moshë ndërmjet 50 dhe 60 vjeç. Ato nuk kishin asnjë sëmundje kronike. Pjesëmarrëset u ndoqën për 15 vjet rresht, periudhë të cilën studiuesit e shfrytëzuan për të siguruar informacion të ri në lidhje me dietën dhe shëndetin e tyre, në mënyrë që të vlerësonin se çfarë kishte ndryshuar nga viti në vit. Studiuesit vërejtën se dieta mesdhetare është karakterizuar kryesisht nga një konsum i lartë i frutave, perimeve, bishtajoreve, drithërave, peshkut dhe nga një konsum më i ulët i mishit të kuq dhe të përpunuar. Kësaj i bashkëngjitet një konsum i lartë i yndyrave që më së shumti sigurohen nga vaji i ullirit dhe sasi të pakta me yndyrë të ngopur. Ndërkohë konsumimi i alkoolit duhet të moderohet.

Rezultatet e analizave të studimit kanë treguar që gratë që hanin në mënyrë më të shëndetshme jo vetëm që jetuan më gjatë, por ato edhe kanë “lulëzuar” në drejtim të shëndetit. Konkretisht ato kishin më pak “shanse” që t’u zhvilloheshin sëmundje të rënda kronike dhe, anasjelltas, më shumë gjasa për të mbajtur një fizik të shëndetshëm dhe aktiv, si dhe një shëndet më të mirë mendor. Edhe pse hulumtimi nuk ka treguar një shkak/efekt, nuk ka dyshim se ndjekja e një diete të shëndetshme të tillë si ajo mesdhetare i ka lejuar pjesëmarrëset të jetojnë më të shëndetshme dhe më gjatë, me një impuls prej 40%, në krahasim me ata të cilët kanë ndjekur vetëm pjesërisht një dietë ose që nuk e kanë ndjekur aspak. Sipas mjekes Samieri, janë modelet e dietës së shëndetshme ato që janë fituese dhe jo ushqimet individuale. Kështu që ndjekja e një modeli të tillë si dieta mesdhetare është një alternativë e mirë për të promovuar shëndetin dhe jetëgjatësinë.

Pse dieta mesdhetare?

Çdo vit propozohen shumë dieta, të cilat mund të jenë më shumë ose më pak efektive, por shumë ekspertë vazhdojnë të mbështesin fuqishëm rëndësinë e dietës mesdhetare si një prototip i asaj që është kuptuar si dietë e duhur. Kjo dietë merr si modelin e saj dietën e vendeve mesdhetare si Italia, Greqia, Spanja dhe Franca Jugore. Ushqimi në të cilën kjo dietë është e bazuar janë ato të traditës së kuzhinës së këtyre vendeve që ne të gjithë e dimë: drithërat, mishi, peshku, perimet, frutat, qumështi dhe vezët.

Përbërësi thelbësor i dietës mesdhetare është vaji i ullirit ekstra i virgjër. Po ta përdorim në sasinë e duhur ai rrit shijen e ushqimit dhe është një mik i madh për shëndetin tonë. Në fakt, shumë përfitime të kësaj diete rezultojnë nga prania e yndyrave dhe antioksidantëve që gjenden te vaji i ullirit. Studime të shumta kanë dokumentuar të mirat e dietës mesdhetare. Kjo ndihmon për të reduktuar vlerat e kolesterolit, zvogëlon rrezikun e sklerozës dhe sëmundjeve kardiovaskulare, nxit funksionin e rregullimit te zorrëve për shkak të fibrave që përmbajnë ushqimet e kësaj diete. Antioksidantët, përveç përmirësimit të shëndetit të enëve të gjakut tonë, ngadalësojnë plakjen e hershme të qelizave.