Prej ditësh, Kreu i Shtetit Ilir Meta po bën thirrje për mosprekjen e marrëveshjes së 5 qershorit dhe hapjen 100% të listave në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa sot ai ka një tjetër apel.
Përmes një statusi në rrjet, kur shënohet edhe 6-vjetori i vizitës së tij në Shqipëri, Meta kujton shprehjen e Papa Franceskut: “Duhet bërë gjithçka për të shtuar shpresën për rininë tonë, sepse ‘Ku ka rini, ka shpresë!'”
Nisur nga kjo, Meta shprehet se duhet bërë gjithçka që shqiptarët të mos ikin, që të kthehet shpresa veçanërisht për rininë shqiptare.
STATUSI I PLOTË
Në 6-vjetorin e vizitës së Tij në Shqipëri, të mos harrojmë porositë e mençuara të Papa Françeskut: “Shqiponjat nuk e harrojnë folenë, por fluturojnë lart. Kam parë kaq shumë të rinj, ndaj ju lutem mbajini ata në Atdheun e tyre dhe Shqipëria të shpëtojë nga dimri demografik”.
Të bëjmë gjithçka që shqiponjat të qëndrojnë e të kthehen në folenë e tyre, dhe Shqipëria të ngrihet lart, atje ku e meritojnë ëndrrat dhe sakrificat e shqiptarëve, si një vend plotësisht demokratik, i respektuar dhe me dinjitet në Europë.
“Duhet bërë gjithçka për të shtuar shpresën për rininë tonë, sepse ‘Ku ka rini, ka shpresë”, – tha Papa Françesku në Tiranë.
KOHA NUK PRET MË!
TË KTHEJMË SHPRESËN PËR RININË DHE PËR TË GJITHË SHQIPTARËT!





