*Dyndje në kurset profesionale
*Rekord, parukeria dhe estetika për vajzat
23 nëntor 2015 – Armata e vajzave dhe grave të papuna, atyre që janë kthyer nga emigracioni dhe vajzave që braktisin Call Center-at, janë dyndur në kurset 3-mujore të parukerisë dhe të estetikës në qendrën e Formimit Profesional në Durrës. Të regjistruara në zyrën e punës, në kërkim të një pune, janë pajisur me vërtetime për të ndjekur kurset profesionale falas, që ofrohen në këtë qendër. Të gjendura pa punë, pa të ardhura e pa mbështetje financiare, gratë në Durrës kërkojnë lehtësi për të ngritur biznesin e tyre.
Violeta është një 40-vjeçare, e cila tregon se pas shumë vitesh është duke bërë realitet ëndrrën për të ndjekur një kurs parukerie. “Në fillim kur Edi Rama mori pushtetin, tha që të gjitha grave do t’u lehtësojë mundësitë për të bërë biznes. Unë mendoj që pasi të mbaroj këtë kurs, të lidhem me shoqatat e grave që të më mundësojnë pajisjet e parukerisë. Ndërsa nga kryeministri do të kërkoja minimalisht të mos na taksojë për 6 muaj. Nëse do të na taksonte, unë nuk do të kem asnjë mundësi të nis këtë biznes”, thotë kursantja.
Marjeta Sula, 32-vjeçare, është nga fshati Shënvlash. Së bashku me një grup shoqesh, nëna e re ndjek kursin çdo ditë, dhe ndjehet e kënaqur. “13 vjet pa punë dhe vendosa të futem në këtë kurs me qëllim se do të punësohem në të ardhmen.”
Erta Bekiri, 25-vjeçare, për gati 4 vjet ka qenë emigrante në Gjermani dhe në Norvegji, por është kthyer sërish në Durrës. E mbetur e papunë me një diplomë universiteti në xhep, vajza thotë se synimi i saj është të hapë sallonin e saj të parukerisë dhe të estetikës në Durrës. “Diçka duhet të bëja, dhe fakti që këto kurse janë shumë të mira dhe falas, janë një motivim shumë i madh që t’i ndjekim.”
Edhe instruktorët e këtyre kurseve thonë se interesi jo vetëm nga vajzat, por edhe nga djemtë është shumë i madh. “Ka një interes të madh, janë disa klasa me 30 nxënës që po operojnë për parukeri dhe estetikë, nisur edhe nga fakti që vajzat marrin një profesion dhe kurset janë tërësisht falas për to”, thotë instruktorja e estetikës.
Në qendrën e Formimit Profesional në Durrës, janë së paku 15 degë, që ndiqen me interes shumë të madh nga të papunët e jo vetëm. Kurset për elektroaut, elektricist, instalues të paneleve diellore, elektroshtëpiake, frekuentohen masivisht nga djemtë. Rrobaqepësi, parukeri- estetikë, pastiçier, kuzhinier, sekretari, turizëm familjar etj, kanë një interes shumë të madh nga vajzat që kërkojnë të kenë një profesion.
Sipas statistikave, 2500 të rinj janë të regjistruar deri në fund të muajit tetor, duke përfshitë edhe Krujën e Kavajën, prej të cilëve janë certifikuar 1850. 1550 kursantë i përkasin kategorisë së të papunëve, që vijnë nga zyrat e punës. Por ndërkohë, në këtë qendër me çmime shumë të ulëta jepen kurse të gjuhëve të huaja, Angleze, Italiane dhe Gjermane.
/K.H. portali DurresLajm/