Mustafa Nano
Edi Rama është një politikan i standardit shqiptar, një njeri pa ideale, më saktë një njeri që idealet i ngatërron me qëllimet e veta, një njeri që ka qejf të sundojë e jo të qeverisë, një njeri që ndihet mirë me sejmenë që i krehin bishtin e bufonë që e argëtojnë, e jo me bashkëpunëtorë që kanë respekt për veten, një njeri që pushtetin e sheh si qëllim, e jo si mjet, një njeri që pushtetin e do të plotë, e do tani, e do ta ketë i vetëm, një njeri që i ka mbushur mendjen vetes se reformimi i një vendi si Shqipëria mund të improvizohet mbi bazën e ideve që i fanepsen në kokë kur zgjohet në mëngjes, e jo mbi bazën e një projekti të mirëmenduar për një kohë të gjatë, një njeri që rregullat e ligjet i sheh thjesht si opsion, një njeri që i ka mbushur mendjen vetes se Shqipëria është një vend i mjerë, e prandaj mund të qeveriset kollaj e mund të keqqeveriset pa asnjë belá, një njeri që shoqërinë e korruptuar shqiptare nuk e sheh si një problem, por e sheh si një alibi, një njeri që, tok me Metën, e jo thjesht për shkak të Metës, është duke ndërtuar një qeverisje të korruptuar, gjë që duket te një mungesë e frikshme transparence, një njeri që ka lënë shumë prej të vetëve që korrupsionin ta shohin jo si një gjë, së cilës i duhet dhënë munxët, por si një …. ndjesi detyre, një njeri që ia ka mbushur mendjen vetes se, “për të mirën publike”, mund të bëhet edhe ndonjë ndyrësi, mund të ndërtohet ndonjë marrëdhënie korruptive, apo ndonjë “aleancë qelbësirash”.
“Prit, prit, aleanca e qelbësirave është e jotja”, mund të thotë ndokush. Ok, po rri pak te ky argument. Do t’i kthehem Ramës sërish, por po mbetem pak te kjo e fundit, tek aleanca e qelbësirave, që po, është një tezë e imja e vjetër e sintetizuar dhe e pagëzuar në këtë mënyrë nga të tjerët, që nga Topalli e deri te Lubonja. Po zhgënjej shpet e shpejt këdo që është duke pritur ndonjë mea culpa: Nuk jam penduar që e kam promovuar këtë aleancë qelbësirash. Ende jo. Jam i kënaqur që vendi nuk është më nën hyqmin e atij delinkuentit psikopat, tek i cili Plasari ka pritur njëzetepesë vjet për të parë, ose ndoshta thjesht për ta thënë, se “Zoti i ka dhënë dhuntinë për të qenë politikan”. Por Plasari ka ca syze të çuditshme (“21 janari u bë për bllokun e Ilir Metës”, ia bëri ai këto ditë, duke ngatërruar 21 janarin me protestën, e jo me gjakun që u derdh në bulevard), e prandaj unë nuk jam në gjendje ta ndjek. Ndoshta, nuk arrij të dalloj që edhe atij Zoti mund t’i ketë dhënë talent analitik më të mirë se shumë të tjerëve, s’ka gjë se e aplikon shumë rrallë.
Duhet bërë ndonjë saktësim. Unë sot jetoj në një Shqipëri të korruptuar, po aq të korruptuar sa ajo e para vitit 2013, por unë nuk jetoj në një vend, ku gjërat duan si përgjigje ndonjë “dhunë shkatërrimtare” e ku “neveria prej mazhorancës e kryeministrit kanë kapur kulme që mund të krahasohen vetëm me periudhat më të errëta të periudhës postkomuniste”. Çfarë është në thonjëza është e Lubonjës, që fare mirë mund të thoshte që kjo është qeveria më dobët e periudhës postkomuniste, e nuk është çudi që të jetë vërtet kështu, fare mirë mund të thoshte edhe se neveria sot do duhej të ishte e niveleve më të errëta të periudhës postkomuniste, por jo, ai thotë që këtë neveri “ia dëgjojnë veshët e ia shohin sytë” sot. Ja, kjo është t’ia mbysësh kot. Kjo mazhorancë, kjo aleancë qelbësirash, vetëm pak muaj më parë u mor në provim, dhe komisioni i provimit, zgjedhësit shqiptarë pra, i dhanë një alamet note, që mua të parit më la pa gojë e pa frymë. Kut më të mirë se sa ky unë nuk njoh për të matur qëndrimin ndaj një qeverie.
Po eci më tej. Unë jetoj në një vend, qeveria e të cilit është një gjë më e thyeshme e më e rrëzueshme se më parë, unë jetoj në një vend, ku është më e kollajtë për t’u ngritur kundër qeverisë, unë jetoj në një vend, ku askush nuk ka më frikë prej qeverisë e prej kryeministrit. Apo jo Andi Bushati? E kam fjalën për nivelin bazik të frikës: Integritetin fizik nuk ta kërcënon njeri. Mund të mendohet se mund të arrihet nesër deri në këtë pikë, por le ta lëmë futurologjinë. Rrimë këtu ku jemi: Rama nuk vret për pushtet. E di, kësaj i thonë që ta vendosësh stekën ulët, por s’ke ç’i bën, kjo është historia jonë. Apo jo Kolo Cukali? Dhe nuk është historia e 100 viteve më parë. Është historia e katër viteve më parë, që mund të përsëritet, ngaqë “ai beniamini i Zotit, të cilin Zoti vetë e bëri talent për t’u marrë me politikë” është aty, e jo vetëm për të bërë çfarë ka ditur të bëjë këto 25 vjet, por edhe për të bërë ndonjërin që të lëshojë jargë prej qejfit.
Tjetër. Sigurisht që çfarë thashë në krye për Ramën mund t’i përsëris edhe në gjumë, ngaqë janë të vërteta ditë e natë, sigurisht që “Shqipërisë së sëmurë po i bëhet nga ‘Dr’ Rama një ndërhyrje, që ajo s’mund ta përballojë”, siç thotë Lubonja, sigurisht që kryeministri na ka hapur barkun me refrenin e burgut, e nuk kuptohet pse këmbëngul në këtë pikë, ndoshta ka ndonjë kompleks të mistershëm të vetin, sigurisht që kjo punë e burgut nuk shkon edhe për një arsye shumë të thjeshtë, ngaqë ky kryeministër po mban më këmbë një sistem që “si lëndë zjarri për në ferr” ka veç të varfrit, të dobëtit, të pakrahët, sigurisht që tatimorët e asaj znj. “Ku qëndron problemi këtu?” ua nxijnë jetën tregtarëve, duke u mbirë në dyert e dyqaneve e magazinave të tyre, sigurisht gjendja është shumë e vështirë, aq sa edhe shqiptarët duan ta lënë këtë vend një sahat e më parë. Por më lejoni ta them, mua ma shpif ideja që po duan të krijojnë disa, se paska veç nja dy vjet që këtyre anëve po ndodhin gjëra të papara, të tmerrshme, të frikshme. Oh, come on guys, mos u llastoni! E këtë ua them sidomos atyre që jo më herët se sa katër vjet më parë e komentonin me tone relativizuese, zhdramatizuese e shfajësuese një krim barbar të bërë ditën me diell, nën hundën e tyre, në qendër të Tiranës, për pakëz pushtet, nga psikopati delinkuent. E ca më tepër atyre që heshtnin jo vetëm përballë këtij krimi, por edhe ndaj mënyrës se si psikopati delinkuent e justifikoi atë, me stilolapsa pistoleta, me thika me helm, me çadra që shtinin në mish, e – i mbeti pa thënë – me çakmakë nuklearë, etj. Me ata që i mbanin iso këtij justifikimi nuk po merrem. Atyre nuk kam se ç’t’u them. I përkasin një bote krejt tjetër.
Kthehemi te qeveria. Më saktë, te Rama. Dhe po them menjëherë një gjë që duhet thënë. Klasa politike shqiptare është një bandë e korruptuar, që i ka bërë dëme të jashtëzakonshme vendit. Dhe Edi Rama në këtë histori është problemi, jo zgjidhja. Nuk është më i madhi ndër problemet, për ata që janë të interesuar ta bëjnë këtë diskutim, por nuk është zgjidhja. Nuk kam pasur asnjë iluzion se mund të ishte zgjidhja, por nuk kam asnjë brerje ndërgjegjeje që e kam votuar Aleancën e tij të Qelbësirave, pasi kjo e fundit, kam menduar se na ofron – e kam të drejtë gjithë ditën e ditës – të paktën një avantazh të dukshëm krahasuar me psikopatin delinkuent. Mobilizimi kundër rendit të gjërave në një Shqipëri që komandohet nga Rama është një gjë e mundur. Mund të mos ndodhë kurrë, por është e mundur, shumë më e mundur se sa dje.
Në fakt, janë të shumtë ata që apelojnë për një nismë të tillë kundër rendit të gjërave, kundër establishmentit, kundër sistemit politik. Por askush nuk po ia bën fora. Dhe unë kam frikë se kjo nuk mund të ndodhë. Me aq sa e njoh unë Shqipërinë, kjo nuk mund të ndodhë. Sikur të ndodhte, do ish një gjë për t’u mirëpritur e mbështetur, por nuk ka asnjë shenjë se mund të ndodhë. Nuk është e lehtë. Po flitet se mund të lëvizë Shenasi Rama me një grup të vetin, Ben Blushi me të tjerë, gjithashtu, dhe nuk më duken lëvizje pa gjë, nëse ndodhin, por shoh se ka diçka që ua pret hovin. Mendojnë se nuk është e lehtë? Ndoshta. Ka muaj të tërë që Gjergj Bojaxhi e grupi i tij po shtërzojnë të bëjnë diçka të ngjashme, por mali që u duk se u mbars mund të pjellë një mi. Nuk di vështirësitë konkrete që ka hasur ky grup, që pati simpatinë time gjatë fushatës elektorale për pushtetin komunal, por marr me mend një numër vështirësish që mund të krijohen në një rrethanë të tillë. Shoqëria shqiptare nuk ka fuqi të prodhojë ndonjë gjë të hairit në këtë kuptim, në këtë rrethanë. Qofsha i gabuar, por kam frikë se nuk jam. Jemi duke jetuar një gjendje tonën historike, një etapë të evolucionit tonë si shoqëri, e ndoshta si komb, që ka lidhje jo vetëm me këtë klasë politike, por me traditën tonë politike, e jo vetëm politike. Dhe nuk është puna të diskutojmë “revolucioni po, revolucioni jo”. Edhe mund ta diskutojmë këtë gjë, edhe mund të bëjmë thirrje për revolucion, siç bënte një gringo, amerikan, nga faqet e Huff Post-it, por puna është se shqiptarët nuk janë në gjendje të bëjnë një revolucion.
Atëherë? Nuk di. Personalisht jam pak si i dorëzuar, i dorëzuar në kuptimin që thashë më sipër, në kuptimin pra që kam bindjen se jemi duke jetuar një gjendje tonën historike, në të cilën e vetmja gjë që na mbetet është të kërkojmë, me ndihmën e ndërkombëtarëve, që banda politike, me hir me pahir, më shumë me pahir se sa me hir, të na bëjnë ndonjë punë të vlefshme, siç është kjo reforma e sistemit të drejtësisë. Në pritje të kohëve më të mira. /Javanews/