100 çadra janë të vendosura në stadiumin e Durrësit dhe aneksin rreth tij, ndërsa po ngrihen këtë mëngjes edhe 80 të tjera, bënë me dije burime zyrtare nga bashkia për “DurrësLajm”. Në total në këto 180 çadra, pritet të akomodohen rreth 1500 qytetarë.
Ndërkaq, të gjithë banorët që kanë pësuar dëme nga tërmeti i fuqishëm 6.3 ballë që goditi Durrësin mëngjesin e së martës, duhet të paraqiten te njësitë administrative, ose te stadiumi, të japin të dhënat e tyre dhe adresën; dhe grupet e verifikimit që janë ngritur që nga dita e djeshme do të shkojnë pranë çdo objekti për të bërë verfikimet përkatëse dhe vlerësimet e dëmeve.
100 banorë nga Durrësi janë nisur drejt Kosovës me dy autobusë që u janë vënë në dispozicion nga autoritetet kosovare, të cilat kanë marrë përsipër sisteminin e tyre në Prishtinë deri në momentin kur do të zgjidhet situata e akomodimit të tyre. Shpenzimet janë marrë përsipër nga autoritetet kosovare.
Ndërsa të akomoduar te Kavaleshenca në Durrës, vijojnë të qëndrojnë 61 banorë që prej kohës kur ra tërmeti i 21 shtatorit, të cilëve iu dëmtuan banesat. Në ambientet e Kavaleshencës ndodhen edhe 100 studentë të Akademisë të cilët po kryejnë studimet, dhe nuk ka kapacitete të tjera për të akomoduar banorë të tjerë të prekur nga tërmeti i fundit.





